RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA i kërkon TikTok-ut të shesë aksionet ose të përballet me bllokim

shba-i-kerkon-tiktok-ut-te-shese-aksionet-ose-te-perballet-me-bllokim

Administrata amerikane u ka kërkuar pronarëve kinezë të TikTok-ut që të shesin aksionet e aplikacionit, përndryshe rrezikojnë që aplikacioni të ndalohet në SHBA, transmeton Anadolu.

Kërkesa u bë nga Komiteti i Investimeve të Huaja në SHBA i udhëhequr nga Departamenti i Thesarit, njoftoi Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me këtë çështje.

Sipas raportimit, kjo paraqet një “ndryshim të madh” në politikën e administratës amerikane kundër TikTok-ut.

Në raportim thuhet se 60 për qind e aksioneve të kompanisë pronare të TikTok-ut, ByteDance, janë në pronësi të investitorëve globalë, 20 për qind janë në pronësi të punonjësve dhe 20 për qind në pronësi të themeluesve.

TikTok u përgjigj duke thënë se kërkesa për shitje nuk do të trajtojë rrezikun e perceptuar të sigurisë.

“Nëse synimi është mbrojtja e sigurisë kombëtare, shitja e aksioneve nuk e zgjidh problemin: Ndryshim në pronësi nuk do të impononte ndonjë kufizim të ri në rrjedhën e të dhënave ose qasjen”, tha në një deklaratë zëdhënësja e TikTok-ut, Brooke Oberwetter.

“Mënyra më e mirë për të adresuar shqetësimet në lidhje me sigurinë kombëtare është me mbrojtjen transparente në SHBA të të dhënave dhe sistemeve të përdoruesve amerikanë, me monitorim, verifikim dhe verifikim të fuqishëm nga palët e treta, të cilat ne tashmë po i zbatojmë”, shtoi ajo.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar mbi raportimin.

Pasi u lançua në vitin 2016, aplikacioni për shpërndarjen e videove i cili është në pronësi kineze u bë shumë i popullarizuar në të gjithë botën, duke arritur në 755 milionë përdorues globalë në vitin 2022.

Dy të tretat e adoleshentëve amerikanë janë tani përdorues të TikTok-ut.

Por, aplikacioni është kritikuar se i lejon qasje qeverisë kineze në të dhënat personale të ndjeshme të përdoruesve, duke përfshirë vendndodhjen dhe historinë e shfletimit.

Related posts

Plagosja e gruas në Fushë- Kosovë nga bashkëshorti i saj, protestohet sot në Prishtinë

RTI

Kreu i OBSH-së: Të hulumtohen të gjitha hipotezat për origjinën e COVID-19

admin

Zjarret shpërthejnë në të gjithë Bullgarinë juglindore

admin