Partitë politike që kundërshtojnë planin e reformës së pensioneve të qeverisë franceze kanë paraqitur një mocion mosbesimi në parlament pasi kryeministrja e vendit, Elisabeth Borne, përdori kompetencat e veçanta kushtetuese për t’i miratuar reformat e diskutueshme të pensioneve pa pëlqimin e parlamentit, transmeton Anadolu.
Lëvizja e qeverisë shkaktoi zemërim në mesin e anëtarëve të opozitës së parlamentit, të cilët paraqitën mocion censurimi.
E përditshmja ‘Le Figaro’ raportoi se anëtarët e grupit të pavarur ‘Liot’ dhe ata të pesë partive të tjera opozita, respektivisht gjithsej 91 deputetë, paraqitën mocionin e parë të censurës ndër-partiake.
Edhe deputetja Laure Lavalette njoftoi se partia e saj ‘Tubimi Kombëtar’ (RN) paraqiti një letër tjetër mocioni të censurës.
Për të rrëzuar qeverinë, do të duhet një mocion censurimi që do të mbështetet nga 287 vota në Asamblenë Kombëtare.
Pasi dje projektligji për reformën e pensioneve u miratua nga Senati i Francës, versioni përfundimtar i projektligjit ishte menduar të hidhet për miratim në parlament.
Megjithatë, pas konsultimeve me presidentin Emmanuel Macron, si dhe me ministrat dhe zyrtarët e tjerë politikë, kryeministrja Borne dje u mbështet në nenin 49.3, i cili lejon kryeministren të anashkalojë parlamentin.
Borne më pas u adresua në parlament për të mbajtur një fjalim dhe thirri nenin 49.3, veprim që zemëroi anëtarët e opozitës të cilët më parë thanë se do të paraqesin një mocion censurimi në rast se do të merrej një hap i tillë.
Ligjvënësit kundër reformave të pensioneve lëshuan sallën e parlamentit dhe seanca u pezullua.
Vendimi i presidentit Macron për të përdorur kompetencat e veçanta kushtetuese erdhi nga frika se ligjvënësit do të bllokonin reformat pasi qeveria nuk ka një shumicë absolute.
Reformat përfshijnë rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 64 vjeç në vitin 2030 dhe nevojën e të paktën 43 vitesh punë për t’u kualifikuar për pension të plotë.
Plani ka shkaktuar zemërim publik që kur u zbulua vitin e kaluar, me protesta masive dhe greva të mbajtura në të gjithë vendin që nga muaji janar.