Dy sindikata të mëdha gjermane njoftuan të hënën një grevë që pritej të pezullonte transportin publik në të gjithë vendin, duke përfshirë trenat në distanca të gjata, si dhe autostradat dhe aeroportet.
Sindikatat EVG dhe “Verdi” njoftuan sot protestën e përbashkët, e cila vjen pas një sërë grevash të mëparshme që kanë prekur të gjithë sektorët e ekonomisë gjermane gjatë muajve të fundit.
“Do të ketë vonesa të rënda dhe madje edhe ndërprerje të shërbimeve të transportit në të gjitha zonat e prekura, në të gjithë vendin”, sipas sindikatave.
“Verdi” u bëri thirrje anëtarëve të saj në shtatë lande gjermane që të largohen nga puna e tyre në aeroporte dhe transportin publik lokal.
Greva synon të rrisë presionin ndaj qeverisë dhe autoriteteve lokale për një raund të tretë negociatash që nis të hënën.
Sindikata “Verdi” po kërkon një rritje pagash prej 10,5% dhe të paktën 500 euro më shumë në muaj për punonjësit e sektorit publik. /atsh