RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Schmid: Shqipëria është një anëtare aktive dhe e besuar e OSBE-së

schmid:-shqiperia-eshte-nje-anetare-aktive-dhe-e-besuar-e-osbe-se

Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Maria Schmid, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë në një deklaratë për mediat ajo theksoi se Shqipëria është një anëtare aktive dhe e besuar e OSBE-së, raporton Anadolu.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, priti në një takim Schmid, ndërkohë në deklaratën e përbashkët për mediat pas takimit u fokusuan në çështjet mbi luftën Rusi-Ukrainë, bashkëpunimin Shqipëri-OSBE, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të tjera.

Xhaçka theksoi se konfirmuan edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë ndaj “agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës”.

“Ky takim vjen në një moment vërtet të vështirë për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë si pasojë e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës. Kjo padyshim ishte dhe një nga temat kryesore që ne diskutuam sot gjatë takimit tonë”, tha Xhaçka.

Ajo tha se këtë vit rajoni ka pasur një rol të posaçëm në OSBE pasi Maqedonia e Veriut është kryesuesja e radhës e OSBE-së për vitin 2023, që sipas saj, padyshim e sjell rajonin dhe zhvillimet në të, në fokusin e organizatës edhe më shumë se zakonisht.

“Misioni i OSBE-së në Shqipëri vazhdon të jetë një partner me të cilin kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe pse sot Shqipëria nuk është më një rast problematik për çështjet e sigurisë, ne padyshim që e mirëpresim kontributin e organizatës dhe mbështetjen e saj në reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të vendit”, tha Xhaçka.

Schmid deklaroi se Shqipëria është një anëtare aktive dhe e besuar e OSBE-së.

“Ne jetojmë në kohë shumë të vështira, duke iu referuar edhe agresionit në Ukrainë, i cili ka pasur një ndikim edhe përtej Ukrainës. Kemi rënë dakord gjithashtu që OSBE-ja është një shtyllë kryesore për arkitekturën e sigurisë në Evropë. Bashkëpunimi rajonal mendoj që është në anën e organizatës tonë. Më ka bërë shumë përshtypje roli i Shqipërisë për arritjet në fushën e politikës së jashtme”, tha ajo.

Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së theksoi se puna që po bën organizata përmes misioneve në terren në Evropë dhe Azi është e rëndësishme.

Schmid do të takohet edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeparlamentaren Lindita Nikolla, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe me përfaqësues të misionit të OSBE-së në Shqipëri.

Related posts

Lista Serbe thotë se dëshiron ta rrëzojë Kurtin, pranon se Radojçiq ishte në barrikada

admin

Serbia vazhdon t’i mbajë lidhjet me Rusinë, Daçiqi takohet me Lavrovin

admin

“Krim i organizuar” dhe “Grabitje”/ Arrestohet një person në Kosovë, kërkohej nga Greqia dhe Mali i Zi

admin