RTV AHIRETI
KosovëLajmeRajon dhe Botë

Fondi për të Drejtën Humanitare prezanton raportin e krimeve të njësisë së Arkanit në Kosovë, BeH dhe Kroaci

fondi-per-te-drejten-humanitare-prezanton-raportin-e-krimeve-te-njesise-se-arkanit-ne-kosove,-beh-dhe-kroaci

Garda Vullnetare Serbe (SDG), me të cilën komandonte Zheljko Razhnatoviq Arkan numëronte më shumë se 4.000 pjesëtarë të cilët janë përgjegjës për krime në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, por në Serbi askush nuk është ndjekur penalisht, u tha gjatë prezantimit të dosjes së Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) për SDG-në, raporton Anadolu.

Gjatë prezentimit u tha se anëtarët e SDG-së morën pjesë në vrasje, rrëmbime, keqtrajtime, zhvendosje të detyruara të civilëve dhe grabitje në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.

Më tej u theksua se gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, SDG bashkëpunoi me Armatën e atëhershme Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe Ushtrinë e Republikës Sërpska (VRS), me të ashtuquajturën Ushtria Serbe e Krajinës (SVK) dhe MPB-në të ashtuquajturës Krajina serbe dhe MPB-në e Republikës Sërpska.

Po ashtu u tha se forca ushtarake dhe policore në fjalë ishin të vetëdijshme për sjelljen e dhunshme të SDG-së dhe për rolin e tyre në vrasjen dhe burgosjen e civilëve dhe se ata raportuan për këtë në dokumentet e tyre, por se askush nuk reagoi. Në raportin e Fondit theksohet se ardhja e SDG-së në BeH u bë pas thirrjes publike të Radovan Karaxhiçit, sot i dënuar për krime lufte, drejtuar vullnetarëve “në vendet serbe dhe në të gjitha vendet ortodokse”.

Thirrje vullnetarëve u kishte bërë dhe Biljana Plavshiç, e cila pas luftërave në BeH në vitet e 90-ta, u dënua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Tribunali i Hagës, e cila i dërgoi një letër Zheljko Razhnatoviç Arkanit.

Drejtoresha ekzekutive e FDH-së, Ivana Zhaniç tha se SDG-ja ishte përgjegjëse për vrasjet e disa dhjetëra civilëve në vitin 1992 në Bijelinë dhe Zvornik dhe se në vitin 1994 ishte angazhuar në zonën e Velika Kladushës dhe vitin e ardhshëm në pjesë të tjera të BeH-së.

Zhaniç tha se publiku serb, kur bëhet fjalë për krimet e SDG-së, reagoi ndaj fotografisë së reporterit të luftës Ron Haviv, në të cilën një pjesëtar i SDG-së në Bijelinë në vitin 1992 shqelmon me këmbë trupin e Ajsha Shabanoviqit duke mbajtur një armë në dorë.

Ajo përkujtoi se në atë foto është ish-pjesëtari i SDG-së, Sërgjan Goluboviç, i cili punon si DJ, i njohur për publikun serb si DJ Max.

Ajo tha se në vitin 2015, Alma Peçkoviq, e bija e Ajsha Shabanoviqit, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Serbisë për Krime Lufte kundër N.N. për këtë krim monstruoz dhe se ajo dhe Haviv kanë dhënë dëshmi me këtë rast, por ende nuk ka aktakuzë, por se hetimet janë duke u zhvilluar ndaj personit N.N.

Gjatë marrjes së Bijelinës thuhet në dosje, të paktën 48 civilë të moshës prej 10 deri në 70 vjeç u vranë ndërsa Shtabi i Krizave të Bijelinës publikoi një listë të “ekstremistëve muslimanë të vrarë” me 40 emra. Trupat u gjetën në gjithsej 15 lokacione në Bijelinë ndërsa shumica e viktimave kishin plagë me armë zjarri në gjoks, gojë, ballë, kokë, disa të kryera nga afërsia.

Gjatë marrjes së Zvornikut, thuhet në dosje, një numër i madh muslimanësh u kapën dhe u dërguan në ambientet e fabrikës së veshjeve “Alhos” në Karakaj. Vlerësohet se nga 200 deri në 300 burra të kapur gjatë marrjes së qytetit u sollën në “Alhos”, ku të arrestuarit u torturuan dhe më pas u vranë.

Studiuesja e FDH-së, Jovana Kolariq tha se SDG-ja mori armë, municion dhe pajisje nga MPB-ja e Serbisë, APJ-ja dhe Ministria e Mbrojtjes së Serbisë dhe deklaroi se shtabi kryesor i SDG-së ishte i vendosur në shtëpinë e Zheljko Razhnatoviç Arkanit në Beograd, kurse qendra e rekrutimit të SDG-së ishte në Erdut të Kroacisë. Ajo shtoi se qendra u përdor si objekt paraburgimi për popullatën joserbe të Baranjës në Kroaci, ku civilët u burgosën, u rrahën dhe u vranë.

Kolariq tha se SDG u shfaq për herë të parë në BeH në ditën e fundit të marsit 1992, kur rreth 60 pjesëtarë të SDG-së nga Erduti erdhën në Bijelinë, të cilën e pushtuan me forcat lokale serbe për rreth 8 orë. Pas kësaj, shtoi Kolariq, të paktën 12 burra në Zvornik u nxorën nga bodrumi i një ndërtese banimi nga SDG dhe u ekzekutuan.

Related posts

Stoltenberg: Ukraina do t’i bashkohet dikur NATO-s

admin

Propozimi i Putinit për paqe në Ukrainë nëse Kievi tërheqë trupat nga katër rajone, Scholz: Nuk është serioz!

admin

Rusia: Sulmet e SHBA-së të qëllimshme për të përshkallëzuar konfliktin në Lindjen e Mesme

rezart morina