Arabia Saudite dhe regjimi i Sirisë deklaruan se janë të kënaqura me hapjen e shërbimeve konsullore dhe rifillimin e fluturimeve mes dy vendeve, transmeton Anadolu.
Pas gati 12 vitesh, u bë një deklaratë e përbashkët pasi ministri i Jashtëm i regjimit të Bashar al-Asadit në Siri, Faisal al-Mikdad, vizitoi Arabinë Saudite dhe u takua me ministrin e Jashtëm, Faisal bin Ferhan.
“Të dy palët njoftuan se mirëpresin fillimin e procedurave për rifillimin e shërbimeve konsullore dhe fluturimeve ndërmjet dy vendeve”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve e Arabisë Saudite (SPA).
Gjatë takimit u theksua se u diskutuan përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike që do të mbronte integritetin territorial të Sirisë, identitetin arab, stabilitetin dhe sigurinë. Gjithashtu, gjatë takimeve u diskutuan hapat që do të ndërmerren për të arritur zgjidhje gjithëpërfshirëse politike në Siri mes dy palëve.
Vizita e Al-Mikdadit ishte vizita e parë e Ministrisë së Jashtme të regjimit të Asadit në Arabinë Saudite që nga fillimi i kryengritjes siriane në vitin 2011.