Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se “veprimi më i vogël i Izraelit kundër sigurisë së vendit të tij do të rezultojë në shkatërrimin e Haifas dhe Tel Avivit”, transmeton Anadolu.
Në fjalimin e tij në paradën e Ditës së Ushtrisë të mbajtur në kryeqytetin Teheran, Raisi e përshkroi ushtrinë iraniane si “një pengesë e fortë kundër elementëve anti-revolucionarë, grupeve tekfiriste dhe armiqve”, njoftoi televizioni shtetëror iranian.
Raisi deklaroi se forcat jorajonale, veçanërisht SHBA-ja, shkaktojnë paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme dhe se këto forca sipas tij duhet të largohen sa më shpejt nga rajoni. Ai argumentoi se prania e Forcave të Armatosura iraniane në rajon kontribuon për sigurinë.
Në fjalën e tij, Raisi përmendi edhe kërcënimet për sulme ndaj vendit të tij nga administrata izraelite dhe deklaroi se: “Armiqtë, veçanërisht regjimi sionist, kanë marrë mesazhin se veprimi më i vogël kundër vendit do të rezultojë në një reagim të ashpër nga Forcat e Armatosura iraniane dhe kjo do të rezultojë në shkatërrimin e qyteteve të Haifas dhe Tel Avivit”.
Në kuadër të paradës u ekspozuan raketa, tanke, mjete të blinduara, mjete ajrore pa pilot, sisteme radari dhe sisteme raketore të mbrojtjes ajrore.