RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Avokati nga Beogradi: Lista Serbe, Vuçiqi dhe Radoiçiqi po i persekutojnë serbët në veri të Kosovës

avokati-nga-beogradi:-lista-serbe,-vuciqi-dhe-radoiciqi-po-i-persekutojne-serbet-ne-veri-te-kosoves

Avokati serb Ivan Niniq, ka akuzuar regjimin në Beograd dhe shërbimet serbe të sigurisë se po vazhdojnë të persekutojnë serbët e Kosovës që nuk mbështesin të ashtuquajturën Lista Srpska, të Milan Radoiçiqit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiqi.

Ai ka treguar rastin e arrestimit të një ish pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, të cilin organet serbe të sigurisë e kanë arrestuar para pak ditësh në vendkalimin kufitar në Jarnijë dhe tani po e mbajnë në burg në Beograd.

Avokati nga Beogradi, ka njoftuar se Dragan Nikoliq (1975) nga Leposaviqi, baba i tre fëmijëve, deri vonë pjesëtar i Policisë së Kosovës është arrestuar në vendkalimin kufitar në Jarinjë (më 10 prill) nga pjesëtarët e Shërbimit për Luftë Kundër Krimit të Organizuar në Serbi (SBOK).

“Dragani akuzohet nga Shërbimi Kundër Terrorizmit dhe Prokuroria e Lartë Publikë në Beograd se ka kryer vepra penale: Bashkim për veprimtari antikushtetuese (neni 319, paragrafi 2) dhe thirrja për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues (neni 309, paragrafët 1 dhe 3)”, shkruan avokati Niniq në Tëitter.

Më tej ai bën të ditur se “më 10 prill, në mëngjes, rreth orës 08:00, Dragani është regjistruar në vendkalimin Jarinjë me letërnjoftim të Kosovës, me patentë shoferi dhe trafiku pa asnjë problem. Pas kthimit nga Kragujevci, rreth orës 20:25, në të njëjtin vendkalim në Jarinjë, atij i është kërkuar letërnjoftimi serb, të cilin fizikisht nuk e kishte me vete”, transmeton Telegrafi.

“’A je ti ‘shiptar’?’- e pyetën në Jarinjë, me komentin: ‘Tani shefi ynë do të të sjellë një letërnjoftim serb’. Pas kësaj Dragani me bashkëshorten janë mbajtur të ndaluar deri në orën 23:20, kur janë paraqitur policët në uniforma civile, ma maska në fytyrë dhe i kanë prangosur. Ata nuk kanë treguar identitetin”, shpjegon avokati.

Më tej ai thotë se “në ambientet, që supozojmë se janë të SBPOK, filloi maltretimi dhe poshtërimi psikologjik i tij: ‘A keni punuar në Policinë e Kosovës?’, ‘A e do këtë shtet?’, “A punon kundër shtetit?”, “Për kë punon në Prishtinë?’ , ‘Kemi informacione se ju punoni për strukturat dhe shërbimet e Prishtinës… etj”.

“Dragani u informua se, për periudhën nëntor 2022 – prill 2023, akuzohej se i ishte bashkuar një grupi me 4 persona të tjerë të kombësisë serbe, me të cilët ‘ka punuar intensivisht dhe në vazhdimësi për të shkatërruar rendin kushtetues dhe sigurisë të Serbisë, me qëllim të ndryshojë me forcë rregullimin kushtetues”, tregon Niniq, transmeton Telegrafi.

Sipas avokatit, “Prokurori pretendon se Dragani ‘shumëzonte dhe shpërndante materiale që bën thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë’ (fletëpalosje lidhur me riregjistrimin e automjeteve), mblidhte dhe u jepte informacion strukturave shqiptare, për të nxitur revoltë të popullatës kundër qeverisë dhe autoriteteve serbe”.

“Draganit i atribuohet, në mënyrë krejt të paqartë dhe përgjithësisht, ngjarjet e fundit në lidhje me djegien e veturave në veri të Kosovës dhe plagosjen e dy serbëve, ‘kërcënimet ndaj popullatës serbe’ dhe me qëllim të shkaktimit të eksodit masiv të serbëve…”.

Niniq thotë se “bëhet fjalë për një burrë që është 20 vjet punoi si polic në Policinë e Kosovës, dhe dorëzoi uniformën dhe e la punën së fundmi me nxitjen e autoriteteve nga Beogradi. Ai ka kontratë të përkohshme pune me Komunën e Leposaviqit dhe vetëm ai nuk e ka marrë rrogën e fundit në muajin prill, e cila ka qenë paralajmërim i arrestimit të tij”.

“I telefonova Zoran Todiqit, kryetarit të komunës së Leposaviqit dhe e pyeta: Pse vetëm Dragani, nga të gjithë ish-policët e Policisë së Kosovës nuk e mori rrogën e fundit në prill, dhe Todiq më thotë: ‘Më telefononi pas gjashtë ditësh, të hënën, nuk mund të them asgjë për momentin’”, sqaron avokati serb.

Reklama

Ai sqaron se “Dragani jo vetëm që nuk e ka rrënuar rendin kushtetues të Serbisë, shtypur fletëpalosje, ka qëlluar dhe djegur automjete, por së fundmi i është djegur shtëpia nga persona të panjohur, vetëm se më 1 shtator të vitit të kaluar ka qenë ndër të parët që ka regjistruar veturën e tij me targa të Kosovës sepse i kishte skaduar regjistrimi”.

“Arrestimi i Dragan Nikoliqit është një akt hakmarrjeje dhe revanshizmi nga Beogradi, sepse bashkëshortja e tij Ivana pranoi kandidaturën për këshilltare në zgjedhjet e ardhshme në listën zgjedhore të Partisë së Serbëve të Kosovës në komunën e Leposaviqit. Dhe tani e ashtuquajtura Lista Serbe po i qëron hesapet me secilin veç e veç”, thotë Niniq.

Avokati thotë se “sot në mëngjes e kam vizituar klientin tim Burgun Qendror në Beograd, po mbahet mirë, nuk e ka humbur shpirtin, thotë se do të qëndrojë sa të duhet, se nuk e ka rrënuar kurrë shtetin. Është i mllefosur sepse pas 20 vitesh punë, shteti mori koren e bukës dhe tani Milan Radoiçiq vendos nëse fëmijët e tij do të kenë diçka për të ngrënë”.

Reklama

“’A kemi të drejtë të marrim frymë ne që nuk jemi për Listën Serbe?’ – është një pyetje që nuk munda t’i përgjigjesha Draganit, por i premtova se do të luftojmë kundër këtij persekutimi politik të inskenuar dhe se do të fitojmë!

“Fatkeqësisht, ky është realiteti sot në veri të Kosovës!”, ka shkruar avokati serb Niniq.

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Por, për dallim nga herët e kaluara, në këto zgjedhje – që bojkotohen nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – votimet, përveçse në disa shkolla, do të mbahen edhe në kontejnerë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që serbët t’i bojkotojnë këto zgjedhje, duke thënë se pas 24 prillit, Kurti “do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”, duke aluduar se serbët nuk do të marrin pjesë në proces zgjedhor.

Ai, po ashtu, përsëriti kushtet e serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Related posts

Tërmet në Kosovë

admin

Michel thirrje Izraelit të respektojë vendimin e GJND: E tmerrshme të shohësh civilë të pafajshëm të vrarë në Rafah

RTI

Për një muaj, Policia në Gjilan shqiptoi mbi 7 mijë gjoba

RTI