Greqia ka kërcënuar se do të bllokojë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) për ndalimin e një politikani etnik grek, duke theksuar respektimin e të drejtave të pakicave etnike të vendit, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve AMNA, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite të fushatës zgjedhore në periferi të Athinës, tha se perspektivat evropiane të Shqipërisë varen tërësisht nga respektimi i të drejtave të pakicës së saj etnike greke në vend.
Fredi Beleri, një kandidat i minoritetit etnik grek për kryetar bashkie në Himarë, u ndalua nga policia më 12 maj me akuzën e blerjes së votave.
Ndalimi i tij ka tensionuar marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës.
Qeveria greke ka bërë një protestë zyrtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Pavarësisht se ndodhet në paraburgim që nga e hëna e kaluar, Beleri dje fitoi zgjedhjet lokale.