Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bërë të ditur se vazhdojnë bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave të Detit të Zi, që skadon të enjten, duke theksuar se “padyshim jemi në një fazë delikate”, transmeton Anadolu.
“Kontaktet po zhvillohen në nivele të ndryshme”, tha zëdhënës i OKB-së, Stephane Dujarric, duke shtuar se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është mbajtur i informuar për situatën.
Dujarric tha se Guterres ka biseduar me shefin humanitar të OKB-së, Martin Griffiths dhe të tjerët.
Ai tha se nisma e drithërave, së bashku me memorandumin e mirëkuptimit me Rusinë për eksportet e plehrave bujqësore dhe drithërave nga Rusia janë kritike për rënien e çmimeve globale të ushqimit.
“Ne shpresojmë që të gjithë të përfshirët do të përmbushin përgjegjësitë e tyre”, tha Dujarric.
Më herët gjatë ditës, Kremlini tha se publiku do të informohet për vendimin e Rusisë për zgjatjen e nismës së drithërave të Detit të Zi kur të bëhet.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media tha se kontaktet midis palëve në marrëveshje janë në vazhdim dhe disa çështje lidhur me zbatimin e pjesës ruse të marrëveshjes ende janë të hapura.
Për të ndihmuar në trajtimin e një krize globale ushqimore, Türkiye, Rusia, Ukraina dhe OKB-ja nënshkruan një marrëveshje korrikun e vitit të kaluar në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga portet ukrainase, që u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt të vitit 2022.
Sipas OKB-së, mbi 30 milionë tonë drithëra dhe ushqime janë eksportuar nga Ukraina që nga gushti i vitit të kaluar.
Rusia gjatë bisedimeve ka kërkuar heqjen e pengesave për eksportet e saj të plehrave bujqësore, përkatësisht kufizimet bankare, për të rënë dakord për një zgjatje tjetër të marrëveshjes.