RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Ambasadorja e SHBA-së në NATO kërkon rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi

ambasadorja-e-shba-se-ne-nato-kerkon-rinisjen-e-dialogut-kosove-serbi

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e vetme përpara për Kosovën dhe Serbinë, tha sot ambasadorja e përhershme amerikane në NATO, Julianne Smith.

Kjo ishte përgjigja e saj në pyetjet e gazetarëve lidhur me tensionet aktuale në veri të Kosovës.

“Prioriteti numër një është ndërmarrja e masave të menjëhershme nga të dyja palët për të shtensionuar situatën”, tha Smith.

Ajo tha se aleatët e NATO-s po përcjellin “me interes të madh dhe me shumë shqetësim” zhvillimet në Kosovë.

Smith i bëri këto deklarata gjatë një konference online për media para takimit të ministrave të Mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s, që do të mbahet në Bruksel më 15 dhe 16 qershor.

Ajo theksoi se SHBA-ja ishte e para që dënoi dhunën kundër ushtarëve të NATO-s, veçmas ndaj trupave të kontingjentit italian dhe hungarez.

“Ne besojmë se personat që shkaktuan dhunë duhet të mbahen përgjegjës përmes procedurave ligjore dhe transparente”, tha Smith, raporton REL.

Ajo tha se SHBA-ja inkurajon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Qeverinë e tij që të sigurohet që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, të kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

“Ne po ashtu i inkurajomë ata që të tërheqin njësitë policore nga ndërtesat komunale”, tha Smith, duke shtuar se mirëpret vendimin e Qeverisë së Serbisë për të ulur gatishmërinë dhe numrin e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

“Por, thelbi i kësaj çështjeje është se – që njëherësh është edhe qëndrimi i gjithë aleancës – dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja është rruga e vetme përpara dhe se ky mesazh i NATO-s u është përcjellë të gjithëve”, theksoi Smith.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, me serbët lokalë që po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, që janë zgjedhur më 23 prill.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestues serbë u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Related posts

Papa kërkon veprime urgjente nga bota kundër ndryshimeve klimatike

rezart morina

Presidenti iranian: Bota po ndryshon, epoka e hegjemonisë perëndimore ka përfunduar

admin

Macron: Ukraina nuk do të pushtohet

admin