Në qytetin e Novi Pazarit në Serbi si pasojë e reshjeve të dendura të shiut janë përmbytur shtëpi dhe vende të punës, raporton Anadolu.
Për shkak të vërshimit të lumit Trnavica si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që nisën mbrëmë, në disa vendbanime ka qenë e vështirë edhe dërgimi i ndihmave.
Shumë njerëz, shtëpitë dhe vendet e punës të të cilëve janë përmbytur, po pastrojnë objektet e tyre, ndërkohë policia, brigada e zjarrfikësve dhe njësitë e kërkim-shpëtimit po bëjnë gjithashtu përpjekje për të ndihmuar në zonat e paarritshme.
Në veçanti po punohet për shpëtimin e të sëmurëve, të moshuarve dhe fëmijëve nga zona e përmbytjeve.
Shefi i Departamentit të Situatave Emergjente në Novi Pazar, Ismail Dupljak, tha se më shumë se 2.500 shtëpi në brigjet e lumit Trnavica janë përmbytur.
Duke theksuar se që nga orët e natës ekipet kanë punuar në zonat e përmbytjes, Dupljak tha se, “Rruga për në qytezën Kleca është nën ujë dhe ura është shkatërruar. Nuk kemi kontakt me 30 shtëpi që mbrëmë. Jemi në kontakt me ushtrinë serbe dhe kërkuam që të ndërtojnë një urë ponton për banorët e kësaj zone”.
Sulejman Aliçkoviq, i cili jeton në Kleca, ka deklaruar se është larguar nga vendbanimi për të shkuar në spital dhe nuk ka mundur të kthehet për shkak të vërshimeve. Ai tha se në zonën e paarritshme ka shumë të moshuar dhe të sëmurë.
Duke parashikuar vazhdimin e reshjeve, autoritetet nisën të marrin masa shtesë ndaj fatkeqësive që mund të ndodhin në rajon.
Novi Pazar# pic.twitter.com/B9fJlH27F4
— miruglj (@miruglj) June 14, 2023