Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka deklaruar se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se ky dialog është rruga e vetme drejt paqes, raporton Anadolu.
Në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, ku u diskutua edhe për zhvillimet dhe tensionet e fundit në Kosovë, Xhaçka theksoi se ministria që ajo përfaqëson e ka ndjekur me shumë vëmendje situatën e krijuar pas mbajtjes së zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe dhe masat vijuese, sipas saj, “të panevojshme dhe të dëmshme politikisht”.
“Jemi të shqetësuar nga rritja e tensioneve dhe sigurisht jemi të angazhuar me të gjithë fuqitë dhe mundësitë tona, me aleatët dhe partnerët, me SHBA-në, NATO-n, BE-në, që situata të mos përkeqësohet më tej. Jemi po ashtu të shqetësuar, por edhe të keq ardhur, që gjendemi në këtë situatë kaq delikate. Situata më e fundit me tre policët e kapur nga ushtria serbe, padyshim e ndërlikon më tej situatën dhe rrezikon t’i hedhë benzinë zjarrit”, tha Xhaçka.
Ajo u shpreh se i kanë ndjekur po ashtu me shqetësim edhe deklaratat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe.
“Theksojmë se lëvizja e lirë është një pjesë shumë e rëndësishme e angazhimeve që kemi dhe që kanë marrë të gjithë vendet tona, edhe Shqipëria dhe Kosova përfshirë, në kuadër të CEFTA-s dhe në kuadër të punës për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, por edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, ku liria e lëvizjes dhe e qarkullimit të mallrave është një nga shtyllat kryesore të tij”, theksoi ajo.
Ministrja Xhaçka u shpreh se kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë qenë të zëshëm për këto zhvillime dhe po ashtu kanë qenë në kontakt me faktorin ndërkombëtar, siç tha ajo, veçanërisht me SHBA-në dhe BE-në.
“Për ne Kosova është e shenjtë, për ne Kosova është një prioritet kombëtar që udhëheq çdo veprim dhe çdo aksion në politikën tonë të jashtme. Ne ndajmë plotësisht objektivat e qeverisë së Kosovës, të çdo qeverie të Kosovës në fakt, për një zgjidhje përfundimtare të negociuar me Serbinë, për anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha ajo.
Në fund, Xhaçka theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të kontribuar me çdo mjet dhe më të gjithë mundësitë e saj, në mënyrë konstruktive.
Kujtojmë se në fund të majit shpërthyen tensione në veri të Kosovës, kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës asistuan kryetarët e rinj të komunave. Më pas, protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it, ku u plagosën dhjetëra ushtarë ndërkombëtarë dhe protestues.
Policia e Kosovës njoftoi më 14 qershor se “ka ndodhur një rrëmbim klasik nga forcat serbe”, i tre policëve të Kosovës.
Ndërkohë,k kryeministri Rama, disa ditë më parë konfirmoi se presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, propozim i cili shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Kosovë.
Pas këtyre zhvillimeve, mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës e planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë u anulua.