RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Stoltenberg: Në Vilnius do të miratohet paketa e ndihmës afatgjate për Ukrainën

stoltenberg:-ne-vilnius-do-te-miratohet-paketa-e-ndihmes-afatgjate-per-ukrainen

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se në samitin e NATO-s që do të mbahet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, aleatët do të miratojnë paketën e ndihmës afatgjate që do ta ngrejë Ukrainën në standardet e NATO-s, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për gazetën gjermane “Tagesspiegel”, Stoltenberg tha: “Gjatë samitit aleatët do të miratojnë paketën e ndihmës afatgjate që do ta ngrejë Ukrainën në standardet e NATO-s. Me ndihmën tonë ushtria e Ukrainës, do të kalojë nga një ushtri e stilit ish-sovjetik në një forcë moderne e cila punon sipas standardeve të NATO-s”.

Në kuadër të kësaj do të intensifikohen marrëdhëniet me Ukrainën, theksoi Stoltenberg duke shtuar se vendet e NATO-s pritet që të angazhohen se do të vazhdojnë të sigurojnë mbështetje ushtarake gjithëpërfshirëse për Ukrainën.

Nuk duhet të ketë varësi nga Kina në fusha si lëndët e para kritike

Stoltenberg tërhoqi vëmendjen se Kina nuk është armiku i tyre dhe se duhet të vazhdohet të bëhet tregti me Kinën.

“Unë paralajmëroj se nuk duhet të bëhemi të varur nga fusha të caktuara siç janë lëndët e para kritike. Kjo ka të bëjë lidhur me administrimin e rrezikut. Unë kam besimin se këtë do ta bëjë edhe kancelari Olaf Scholz dhe industria gjermane”, tha Stoltenberg.

Ai potencoi se mirëpresin angazhimin e hapur të Gjermanisë për shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s dhe për të arritur objektivat e aftësisë. “Kemi nevojë për shpenzime më të larta në mbrojtje, sepse jetojmë në një botë më të rrezikshme. E rëndësishme është të mos shkaktohet luftë, por të pengohet lufta përmes parandalimit. Nuk duam që askush ta kalojë as në mendje të na sulmojë neve”, tha Stoltenberg.

Më tej ai shtoi se në samitin e Vilniusit presin që aleatët të arrijnë marrëveshje në çështjen e shpenzimeve më të larta në mbrojtje dhe se shpenzimet e mbrojtjes prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) tashmë nuk do të jenë kufiri maksimal por kufiri minimal.

Putin dëshiron një botë ndryshe ku kombet e fuqishme vendosin për të ardhmen e shteteve të vogla

“Të gjithë dëshirojnë përfundimin e luftës Ukrainë-Rusi. NATO bëri përpjekje intensive për të penguar fillimin e luftës. Ne besuam në diplomaci deri në fund por u kuptua që (presidenti rus) Vladimir Putin tashmë prej shumë kohësh e kishte marrë vendimin për një luftë të paligjshme ofensive. Dëshiron një botë ndryshe ku kombet e fuqishme vendosin për të ardhmen e shteteve të vogla. Dëshiron një Evropë ku mund të dominojë fqinjët e saj”, tha Stoltenberg.

Ai tha se të gjithë aleatët janë në të njëjtin mendim se Ukraina një ditë duhet të jetë anëtare e NATO-s. “Mendimi i njëjtë është se për anëtarësimin do të vendosin Ukraina dhe vendet anëtare të NATO-s dhe jo Vladimir Putini. Të gjithë e dinë se Ukraina është e detyruar ta fitojë këtë luftë”, shtoi Stoltenberg.

Procesi i anëtarësimit të Suedisë në NATO

Lidhur me procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, Stoltenberg tha se “Është e mundur që Suedia të jetë e pranishme në tryezë në Vilnius. Por, ka ende paqartësi. Presidenti Erdoğan me të cilin pak kohë më parë kam biseduar për këtë çështje, pranon përparimin e shënuar në Stockholm lidhur me kërkesat e Türkiye-s për luftën kundër terrorizmit. Por, dëshiron të shohë vendosjen më shumë në zbatim të elementëve që kemi rënë dakord një vit më parë kur Finlanda dhe Suedia u ftuan për anëtarësim në NATO”.

Duke mbrojtur idenë e tij se Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s patjetër, Stoltenberg tha se: “Menjëherë pas ftesës për anëtarësim, Suedia nisi punimet për integrimin e strukturës politike dhe ushtarake të NATO-s. Shumë vende, përfshirë Gjermaninë, dhanë garanci dypalëshe sigurie për fazën e tranzicionit. Për këtë arsye nuk mund të imagjinohet që Suedia të sulmohet dhe NATO të mos reagojë ndaj kësaj. Të gjitha vendet anëtare kanë interes të hidhet sa më parë hapi përfundimtar zyrtar për të forcuar krahun tonë të Veriut”.

Related posts

Gruri ukrainas në BE, arrihet në parim marrëveshja me pesë shtete

rezart morina

Policinë e lënë 10 zyrtarë për tre muaj

rezart morina

Gjermania paralajmëroi mungesë gazi gjatë dimrit

admin