Lëvizja Hezbollah në Liban deklaroi se Izraeli ka pushtuar të gjithë fshatin Gajar në kufirin me Libanin dhe ka ndërtuar një mur rreth tij, transmeton Anadolu.
Hezbollahu ka publikuar një deklaratë me shkrim lidhur me zhvillimet në fshatin Gajar, ku më 4 korrik u ndalua hyrja në pjesën veriore nga ushtria izraelite.
Në deklaratën e publikuar nga agjencia zyrtare libaneze e lajmeve NNA, thuhet se i gjithë fshati Gajar, rajoni verior i të cilit konsiderohet territor libanez nga OKB-ja, është i pushtuar nga ushtria izraelite dhe se forcat izraelite kanë ngritur gardh me tela dhe mur betoni rreth fshatit.
Theksohet se i gjithë fshati Gajar i përkiste Libanit historikisht, por Izraeli vendosi autoritetin e tij në të gjithë fshatin. Më tej thuhet se hyrjet në fshat ishin të mbyllura nga ana libaneze dhe hyrjet nga Izraeli ishin të lejuara.
“Hapat e Izraelit drejt fshatit në kufi janë një zhvillim i rrezikshëm. Fshati libanez Gajar është pushtuar me forcën e armëve”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Jashtme e Libanit paralajmëroi më 4 korrik se Izraeli synonte të zgjeronte zonën e pushtimit, duke shkelur qartë Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila ndalonte hyrjen në veri të fshatit Gajar.
Fshati i ndarë në dy pjesë midis Libanit dhe Izraelit
I gjithë fshati Gajar, i vendosur në shpatet e Lartësisë së Golanit, i cili është pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, mbeti nën pushtimin “de facto” të Izraelit deri më 17 nëntor të vitit 2010.
Izraeli më pas u tërhoq nga pjesa veriore e fshatit dhe mbajti vetëm pjesën jugore. Në pjesën veriore u vendos Forca e Përkohshme Paqeruajtëse e OKB-së (UNIFIL).
In a continuous escalation of the Zionist entity,
Israel attack South Lebanon right now pic.twitter.com/Mj1xKGQ1pd— Эсса Али 🆉 Essa Ali (@ESSA_A1I) July 6, 2023