Viola von Cramon ka reaguar pasi Aleksandar Vulin është sanksionuar nga SHBA-ja dhe bëri thirrje që këtë lëvizje të amerikanëve ta ndjekin edhe evropianët.
Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA) është futur në listën e sanksioneve amerikane.
“Më në fund! Vulin është bërë sinonim i korrupsionit, kukulle e veprimeve ruse dhe trafikut të narkotikëve. Vendim shumë i rëndësishëm i Thesarit të SHBA-së për të sanksionuar ata që mundësojnë dërgimin e paligjshëm të armëve, promovojnë Putinin dhe nacionalizmin. BE duhet ta ndjekë atë!”, ka shkruar eurodeputetja gjermane në Twitter.
SHBA-ja ka nënvizuar se do të mbajë përgjegjës të gjithë ata që janë të angazhuar në afera të korrupsionit dhe që dërgojnë përpara agjendat e tyre politike dhe interesat personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Këto marrëveshje korruptive lehtësojnë aktivitetet malinje ruse në Serbi dhe rajon.
Sipas njoftimit të Thesarit, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Veprimet e Vulinit kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë.
Ndryshe, Vulin më parë ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Brendshëm.