RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Në Shqipëri mbahet protestë antiqeveritare me tensione

ne-shqiperi-mbahet-proteste-antiqeveritare-me-tensione

Në Shqipëri është mbajtur protesta e radhës kombëtare antiqeveritare e cila është shoqëruar me tensione, raporton Anadolu.

Protesta e opozitës është mbajtur në 35-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, që shënohet më 20 shkurt, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Edhe protesta e sotme e organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Tiranë, u shoqërua me tensione.

Protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të selisë së Kryeministrisë, ku gjatë tensioneve, në ambientet e jashtme të Kryeministrisë u shkaktua zjarr, ndërsa forcat e policisë janë kundërpërgjigjur duke hedhur ujë ndaj protestuesve.

Gjatë fjalës në protestë, kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh se janë opozita e vërtetë dhe se do shpëtojnë Shqipërinë.

Duke iu drejtuar protestuesve, Berisha u shpreh se mblidhen sot në një nga ditët më të shënuara të historisë kombëtare.

“Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë do të shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë. Do ndëshkojë dy herë më shumë qeveritarët që arratisen”, tha Berisha.

Pas fjalës së Berishës, protesta u zhvendos para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku vazhduan përsëri tensionet, pasi protestuesit hodhën molotovë dhe lëndë piroteknike, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Gazi lotsjellës ka përfshirë edhe ambientet e jashtme të Xhamisë së Namazgjasë, e cila ndodhet pranë sallës së Kuvendit, ku një pjesë e protestuesve u janë drejtuar ambienteve të jashtme të xhamisë, duke u larguar nga gazi lotsjellës. Gjatë protestës dhe tensioneve, në ambientet e xhamisë ndodheshin edhe besimtarë për ritet fetare.

Nga organizatorët e protestës është pretenduar edhe për të lënduar gjatë tensioneve në protestë.

Opozita kërkon edhe dorëheqjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”. Sipas opozitës, Balluku duhet “t’i dorëzohet drejtësisë”, pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi masën e pezullimit ndaj saj.

Në muajt e fundit në Shqipëri janë organizuar protesta antiqeveritare, ndërsa partitë opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Related posts

OBSH: Kriza klimatike po krijon një krizë shëndetësore

admin

Shpërthim në një xhami në Pakistan, 70 të plagosur mes tyre dhe viktima

Muhamet Ramadani

Përfundon votimi për zgjedhjet lokale në Turqi, ja sa ishte pjesëmarrja

admin