RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëri: Kuvendi miratoi me 69 vota ligjin për kultivimin e kontrolluar të cannabis-it

shqiperi:-kuvendi-miratoi-me-69-vota-ligjin-per-kultivimin-e-kontrolluar-te-cannabis-it

Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi për tre orë pas mesnate të premten dhe miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

Ligji mori 69 vota pro, 23 kundër, 3 abstenime. Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së cannabis-it, të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.

Autoritetet besojnë se përmes një procesi të licensuar do të rritet ekonomia e vendit, si dhe kontrolli i subjekteve, që do të merren me kultivimin dhe përpunimin e bimës së cannabis-it, duke krijuar një institucion të veçantë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se projektligji parashikon krijimin e një agjencie për kontrollin, regjistrimin e prodhimit, dhënien e licensave për eksportin përmes një komisioni të posaçëm, si dhe mbikëqyrjen nga një njësi e specializuar.

“Regjistri kombëtar i subjekteve të licensuara do të regullojë prodhimin e kontrolluar të cannabis-it për qëllime mjekësore. Licensa mjekësore parashikon transportin e farërave, bimëve dhe deri te produktet dhe nënproduktet”, tha zonja Manastirliu.

Projektligji parashikon se licensë mund të kërkojë çdo person juridik, që ka përvojë 3-vjeçare në prodhim, kultivim dhe qarkullim të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore.

Autoritetet pohojnë se subjekti duhet të jetë ushtrues për të paktën 5 vite i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Sipas projektligjit, licenca mund të jepet për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, ndërsa zbatimi i kushteve të licensës verifikohet çdo 3 vjet.

Relatori i projektligjit, deputeti opozitar Tritan Shehu, tha se projektligji bie ndesh me Kodin Penal dhe synon përdorimin e drogave për trafiqe, ndërsa strukturat e sigurisë nuk kanë kapacitete për të kontrolluar territorin.

“Me këtë projektligj synohet të licensohen grupet kriminale. Ky ligj do ta bëjë Shqipërinë një republikë cannabis-i, ndërkohë është e prekur nga narkotikët në të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos të rinjtë. Prodhimi vazhdon në të zezë dhe tani presin vetëm licensat”, tha z. Shehu.

Kundër këtij projektligji u shpreh gjatë fjalimit të tij edhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj.

Ai kujtoi se kur ishte ministër i Punëve të Brendshme policia e ka luftuar fuqishëm kultivimin e narkotikëve dhe ai vet ishte luftuar nga shumë anë pikërisht për goditjen e kësaj dukurie.

“Gjatë atyre dy viteve Shqipëria ka regjistruar dy vitet me statistikat më minimale në kultivimin dhe trafikimin, e konfirmuar nga Guardia di Finanzia italiane”, tha z. Xhafaj.

Ai tha se cannabis-i është i pranishëm midis shqiptarëve edhe pse është i paligjshëm, duke nisur nga përdorimi politik, që bëhej në Lazarat, e deri tek përdorimet financiare.

“A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu vret besimin e njerëzve tek puna. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha z. Xhafa.

Opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me shpejtësi në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.

Deputetët opozitarë shprehën skepticizëm se ministria e Shëndetësisë, që është ngarkuar me zbatimin e këtij projektligji nuk i ka kapacitetet e duhura, ndërkohë që as policia nuk ka arritur ende rezultate të mjaftueshme në luftën ndaj grupeve kriminale, që kultivojnë bimë narkotike në shumë zona të Shqipërisë.

Megjithatë shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha. /voa

Related posts

Qeveria hap konkurse për pozita të larta në bordet publike

Muhamet Ramadani

Po bën kimioterapi për t’u shëruar, por pse Princesha Kate nuk ka treguar se çfarë lloj kanceri ka? E paritura që ndodhi pas zbulimit të diagnozës

admin

Francë, pavarësisht protestave qeveria nuk do të tërheqë reformën e pensioneve

admin