Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) deklaroi se do të denoncohen shpifjet në dëm të sigurisë kombëtare, lidhur me raportimet e fundit për pretendime se janë keqpërdorur rezervat shtetërore.
Nëpërmjet Facebookut, MINT-i shkroi se thashethemet e përdorura në audio-incizime janë tendencioze dhe të pavërteta, ndërsa theksoi se janë bërë me qëllim të denigrimit të figurës së ministres Rozeta Hajdari.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton opinion publik se, të gjitha procedurat në lidhje me furnizimin me mallra për rezervë shtetërore janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Ligjin Për Rezervën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2022, Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.01/65 të datës 26.02.2022”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Ministria tha se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa shtoi se s’ka keqpërdorim të parasë publike.
“Kontratat e rezervës shtetërore janë të klasifikuara në nivelin sekret, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve tek organet e Drejtësisë dhe njëherit ofron bashkëpunimin e plotë me të gjitha institucionet kompetente për çështjen në fjalë”, thekson tutje.
Ministria e udhëhequr nga Hajdari shtoi se kishte shpallur tri herë procedura të prokurimit për të blerë sasi të Rezervës Shtetërore, ku një procedurë ka përfunduar me sukses, “e dy kanë dështuar për shkak të mos ofertimit nga operatorët ekonomikë”.