RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Mësimdhënësit nuk paraqiten nëpër shkollë, ani se pushimi u përfundoi më 15 gusht

mesimdhenesit-nuk-paraqiten-neper-shkolle,-ani-se-pushimi-u-perfundoi-me-15-gusht

E në funksion të kryerjes së përgatitjeve për nisjen e vitit të ri shkollor, pjesa më e madhe e mësimdhënësve nuk po paraqiten në vendet e tyre të punës. Nga pesë shkolla të kryeqytetit sa i vizitoi ekipi i KOHËS në mëngjesin e së martës, ka hasur vetëm në tre mësimdhënës që ishin në vendin e tyre të punës, ani se pushimi u ka përfunduar më 15 gusht. E njohës të çështjes së arsimit shprehin vërejtjen se përgatitjet për mësim para fillimi të viti shkollor nuk bëhet fare, ndërkaq për këtë fajësojnë menaxhmentin e shkollave.

Vetëm tre mësimdhënës i ka hasur ekipi i KOHËS mëngjesin e së mërkurës në vizitat që i ka realizuar në pesë shkolla të kryeqytetit. Sallat e mësimdhënësve në këto institucione arsimore ishin kryesisht të zbrazura, ani se pushimi për ta përfundoi më 15 gusht.

Sipas Ministrisë së Arsimit, mësimdhënësve u lejohet që ta shfrytëzojnë të drejtën për pushim të paraparë me Ligjin e Punës, nga 15 korriku deri më 15 gusht. E që pas kësaj data, ata parashihet se duhet të paraqiten në objektet shkollore, për të bërë planifikimet dhe përgatitjet profesionale për vitin e ri shkollor.

E Betim Sylejmani, drejtori i gjimnazit Sami Frashëri, thotë se këto përgatitje, mësimdhënësit mund t’i bëjnë edhe nga shtëpia.

“Pushimi është një muaj, 15 korrik-15 gusht, por ka raste pas 15 korrikut mësimdhënësit paraqiten në punë për nevoja të ndryshme siç është konkursi për pranimin e nxënësve, apo ndonjë punë tjetër e cila paraqitet gjatë pushimit. Përndryshe mësimdhënësit paraqiten pas datës 15 gusht në shkollë, i kryejnë detyrat e tyre e përgatitjet e nevojshme dhe gjithsesi takimet që mbahen nga shkollat”, ka thënë Sylejmani.

Mungesën e paraqitjes së mësimdhënëseve, nga menaxhmenti i disa shkollave e arsyetuan me pamundësinë e daljes në vende të punës, si rrjedhojë e renovimeve që po bëhen në objekte.

Por ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se përgatitjet për mësim para fillimi të viti shkollor nuk bëhet fare, e për këtë i fajëson institucionet arsimore për keq organizim.

“Planifikimi besoj që bëhet 30 për qind, në Kosovë nuk planifikohet mësimi mirë, është kohë e vjedhur. Përgatitja për mësim nuk bëhet fare, përgatitjen e bëjnë gjatë vitit shkollor, jo para vitit shkollor. Zhvillimi profesional për arsye të ndryshme zhvillohet minimalisht, diku 20 për qind. Besoj që këto do të ishin përqindjet se sa e shfrytëzojnë mësimdhënësit në mënyrë konstruktive kohën që iu mbetet gjatë pushimeve”, ka thënë Rexhaj.

E Dukagjin Pupovci, ish-zëvendësministër i Arsimit, e kualifikon mit të krijuar nga shoqëria perceptimin se puna e mësimdhënësit kryhet vetëm në klasa me nxënës. Ai mosparaqitjen e tyre në objektet shkollore gjatë periudhës verore e sheh si problem të mungesës së organizimit të aktiviteteve nga menaxhmenti i shkollave.

“Perceptime të tilla mund të ketë, por ato janë të gabuara. Mësimdhënësi vërtetë i ka 20 orë mësimi në javë, por duhen edhe 20 orë të tjera mbase edhe më shumë për përgatitje, kontrollim detyrash, komunikim me prindër, etj. Mësimdhënësit shpesh këto orët tjera i realizojnë jashtë orarit të rregullt të punës. Sa u përket pushimeve të gjata, ato mund të “shkurtohen” nëse shkollat organizojnë aktivitete kuptimplote për mësimdhënësit, siç janë: trajnimet, konsultimet në funksion të planifikimit, mësim vazhdues për nxënësit me nota të dobëta, e të ngjashme. Por, nëse aktivitete të tilla nuk ka, atëherë është joproduktive të kërkohet prania e mësimdhënësve në shkollë kur nuk ka mësim”, ka thënë Pupovci.

Organizata ndërkombëtare për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, thekson se mësimdhënia është profesion që kërkon zhvillim profesional e aftësim të përvitshëm për t’iu përshtatur zhvillimeve bashkëkohore, për t’i përvetësuar metodat moderne që nxisin interesimin e nxënësve në procesin mësimor.

Related posts

Tre persona raportohen të zhdukur brenda 24 orëve

RTI

Ush’tria meksikane përforcon sigurinë në shtetin Sinaloa pas arrestimit të liderëve të kartelit në SHBA

admin

Marrëveshja me presidentin Trump, Lukashenko fal 31 ukrainas të dënuar në Bjellorusi

admin