RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Auditori gjen parregullsi në FSSH: Pacientët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë

auditori-gjen-parregullsi-ne-fssh:-pacientet-nuk-u-trajtuan-ne-menyre-te-barabarte

Rezultatet e auditimit tregojnë se pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë që nga procesi i aplikimit e deri te aprovimi i kërkesave nga ana e Fondi për Sigurime Shëndetësore (FSSH).

Në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare e Auditimit (ZKA) për periudhën 2019-2022 thuhet se FSSH-ja përdori praktika të ndryshme në vlerësimin dhe trajtimin e lëndëve që nga aplikimi i kritereve të ndryshme për rastet e njëjta e deri te shuma e aprovuar për trajtim.

Po ashtu sipas auditorit, aprovimi i lëndëve dhe pagesave është përcjellë me vonesa, obligimet financiare nuk ishin menaxhuar dhe raportuar në mënyrë të duhur si dhe Fondi nuk kishte bërë të gjitha barazimet financiare me institucionet shëndetësore në të cilat janë parapaguar shërbimet.

“Bordi Ekzekutiv kishte aprovuar lëndë në mungesë të dy pro-faturave dhe nuk ishte konsistent në shumat që kishte ndarë për mbulim të trajtimit duke mos respektuar kriteret e Udhëzuesit Administrativ. Me aprovim të Bordit, Fondi pagoi 756,142 euro për raste diagnozat e të cilëve nuk janë paraparë në Udhëzues Administrativ. Mirëpo, disa raste u refuzuan pikërisht me arsyetimin se diagnozat nuk janë pjesë e Udhëzuesit”, thuhet në raport.

Më tej në raport theksohet se pavarësisht se Programi është i destinuar të financojë trajtimin e pacientëve me diagnoza, sëmundjet e të cilave nuk trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike të Kosovës, Komisionet Konziliare në reparte të caktuara kishin referuar kërkesa për shërbimet që ofrohen brenda këtyre institucioneve me arsyetimet për mungesë të materialit, kushteve teknike dhe resurseve njerëzore.

“Për këto raste shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuara ishte 844,779 euro”, thuhet në raport.

Për më tepër, Fondi nuk menaxhoi dhe nuk raportoi në mënyrë të duhur obligimet, kishte vonesa në aprovim dhe pagesa, madje kishte fatura që nuk janë paguar që nga 2018. Fondi nuk ka pasqyrë të saktë të kostove reale dhe mjeteve të lira të mundshme, barazimet janë bërë vetëm me spitalet në Kosovë dhe disa në rajon, por jo edhe me spitalet e tjera.

“Nga 12 milionë euro të aprovuara për rastet e rregullta, komisioni kishte arritur të barazojë vetëm 2,1 milionë apo 16,4% si dhe kishte identifikuar mbi 408 mijë euro mjete të lira”, thuhet në raport.

“Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca deklaroi se trajtimi jo i barabartë i pacientëve, ndryshimet e paarsyetuara të kritereve dhe shumave të aprovuara për trajtim, vonesat në aprovim dhe pagesë, si dhe mos menaxhimi i duhur i obligimeve financiare, rrezikon që Programi të mos arrijë objektivat për të cilat është themeluar”, citohet në raport Spanca.

Për të siguruar që Programi për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore menaxhohet në mënyrë më efektive dhe arrin objektivat, ZKA dha 13 rekomandime.

Related posts

“Turist” në UÇK, Remi i kundërpërgjigjet Haradinajt

admin

Kapitenët e kombëtareve evropiane braktisin shiritin me ngjyrat e ylberit në Katar

admin

Si të merreni me populistët?! The Economist: Bizneset perëndimore po mësojnë të përshtaten me politika të paqëndrueshme elektorale në mbarë botën

admin