Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me situatën në të cilën ndodhet aktualisht Greqia pasi përmbytjet e mëdha shkatërruese kanë përfshirë shumë rajone dhe kanë shkaktuar humbje jetësh dhe dëme të mëdha.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shpreh keqardhje të madhe për jetët e humbura, ngushëllime vëllazërore familjeve të tyre dhe solidaritet i megjithëzemërt me të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi e jashtëzakonshme natyrore.
“Ambasada jonë në Athinë njofton se qytetarët që ndodhen në zonat e prekura, mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me Njësinë për Menaxhimin e Emergjencave Civile të Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë, në numrin e aktivizuar të telefonit 112, i cili është vënë në dispozicion të shtetasve që kanë nevojë për ndihmë”, bën të ditur Rama.
Gjithashtu, Kryeministri u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të prekur nga përmbytjet në zonat problematike të Greqisë se për çdo nevojë t’i drejtohen Ambasadës sonë përmes numrit të emergjencës 0030-6347658183, në dispozicion të qytetarëve 24/7 dhe në adresën e email-it embassy.athens@mfa.gov.al.
Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar sot për përmbytjet që kanë prekur disa rajone të Greqisë.
“Përmbytjet e mëdha dhe shkatërruese në disa rajone të Greqisë kanë shkaktuar humbje jetësh dhe dëme të mëdha. Lutemi për jetët e humbura, familjet e tyre dhe shprehim solidaritetin tonë me të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore”, shjruan Balla në një postim në rrjetet sociale. /atsh