Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) vlerëson se mbi 100 mijë fëmijë janë prekur nga tërmeti me magnitudë prej 7 ballësh që goditi Marokun javën e kaluar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga UNICEF-i theksohet se ende nuk dihet numri i saktë i fëmijëve të lënduar apo të vdekur nga tërmeti në Marok.
Në deklaratë vlerësohet se më shumë se 100 mijë fëmijë janë prekur nga tërmeti dhe se sipas vlerësimeve të vitit 2022, fëmijët në vend përbënin një të tretën e popullsisë.
OKB-ja vlerëson se mbi 300 mijë persona janë prekur nga tërmeti.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) tha se epiqendra e tërmetit, që tronditi vendin më 8 shtator pak pas orës 23:00 sipas kohës lokale, ishte 75 kilometra në jugperëndim të qytetit Marrakesh, në një thellësi prej 18,5 kilometrash.
Nga tërmeti vdekjeprurës u raportuan dëme masive në Marrakesh, një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Sipas Institutit Gjeofizik të Marokut, tërmeti ishte më i fuqishme që goditi vendin e Afrikës Veriore në shekullin e fundit.