Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ftoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) kryesisht Kinën, që të bindin Rusinë të ndalojë luftën në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Michel foli në seancën me pjesëmarrje të nivelit të lartë të mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nën kryesimin kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Ukraina është skenë krimi. Autori është ulur pikërisht në këtë dhomë. Ti e di kush je”, tha Michel duke iu drejtuar përfaqësuesit special të Rusisë. “Kremlini ëndërron të rindërtojë perandorinë e vjetër ruse. Pas Ukrainës kush e ka radhën? Kush e ka radhën për të kënaqur ëndrrën e (presidentit të Rusisë Vladimir) Putin lidhur me të kaluarën?”, theksoi Michel.
Ai vuri në dukje se u drejtohet të gjithëve në sallë, përfshirë edhe diplomatin rus. “A mund të duroni vjedhjen dhe dëbimin e fëmijës tuaj? A mund ta duroni faktin që duhet të harrojë familjen e tij, gjuhën e tij dhe tokën e tij?”, pyeti Michel.
Presidenti i Këshillit Evropian mbrojti idenë e tij se praktika që Rusia e emërton si “riedukim” është përpjekje për gjenocid kulturor. Michel përsëriti se Bashkimi Evropian (BE) do të qëndrojnë pranë Ukrainës dhe popullit të saj deri në fund.
Michel u bëri thirrje anëtarëve të KS-OKB-së duke thënë: “Çfarë kemi bërë ne kundër këtij krimi, kundër këtij agresiviteti? Çfarë kemi bërë kur një nga anëtarët tanë të përhershëm sulmoi fqinjin e tij?”.
“E keni paralajmëruar Rusinë kundër përdorimit të armës bërthamore. Jemi të kënaqur nga kjo. Tani të shkojmë më përpara. Të bashkojmë forcat tona për të bindur Rusinë që t’i japë fund kësaj lufte vrastare që i ka kushtuar dhimbje shumë personave”, deklaroi Michel duke vënë theksin se i drejtohet kryesisht Kinës.
Pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mori fjalën i pari pas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në seancë dhe deklaroi se fuqia e vetos në OKB duhet të riorganizohet dhe theksoi se “Arsyeja e ngërçit në të cilën ndodhet sot OKB-ja është ngase e drejta e vetos i është dhënë një agresori”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov i cili erdhi në sallë pas fjalimit të Zelenskyyt, akuzoi botën perëndimore se po përgatitet të përcaktojë fatin e njerëzimit në përputhje me interesat e veta pas Luftës së Ftohtë dhe se me destabilitetin global po shkakton zona të reja tensioni.