RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OKB, liderët e Afrikës bëjnë thirrje për hapa të përbashkët për zgjidhjen e krizës së klimës

okb,-lideret-e-afrikes-bejne-thirrje-per-hapa-te-perbashket-per-zgjidhjen-e-krizes-se-klimes

Liderët e Afrikës që morën pjesë në Asamblenë e 78-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) kërkuan hapa të përbashkët për zgjidhjen e krizës së klimës, transmeton Anadolu.

Liderët e vendeve si Afrika e Jugut, Namibia, Etiopia, Ruanda dhe Mozambiku, që folën në aktivitetet e mbajtura në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme, vendosën theksin mbi ndryshimin e klimës dhe i bënë thirrje botës për veprim të përbashkët.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa tha se “njerëzit e kontinentit tonë po paguajnë edhe njëherë çmimin e industrializimit dhe zhvillimit të kombeve të pasura të botës”.

Ramaphosa bëri të ditur se Afrika ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës për shkak të ndryshimit të klimës dhe se 17 nga 20 pikat e klimës së ngrohtë në botë ndodhen në kontinent.

Presidenti i Namibisë, Hage Geingob, kërkoi nga kombet e pasura që të përmbushin premtimin që kanë dhënë në Konferencën e Parisit 2015 dhe që nga vendet në zhvillim të sigurohet mbështetje financiare për kalimin në burimet e energjisë së pastër.

Zv/kryeministri i Etiopisë, Demeke Mekonnen, iu referua fushatave të gjelbërimit që vendi i tij ka kryer për të reduktuar efektet e krizës së klimës dhe tha se kanë mbjedhë 32 miliard fidanë. Mekonnen po ashtu shprehu mbështetjen e tij për sistemin e paralajmërimit të hershëm të iniciuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Ndërkohë, presidenti i Ruandës, Paul Kagame, tërhoqi vëmendjen mbi problemin e burimit financiar që nevojitet për të kapërcyer krizën klimatike dhe kërkoi rivendosjen e fondit të klimës.

Presidenti i Mozambikut, Filipe Nyusi, tha se vendi i tij është ekspozuar vazhdimisht ndaj uraganeve për shkak të ndryshimeve klimatike dhe se ata kanë mundur të rikuperojnë vetëm një të tretën e dëmit të shkaktuar.

Nyusi rikujtoi se vendet që ndotin më shumë mjedisin në botë vazhdojnë të prodhojnë emetime dhe se shumicën e dëmeve e përjetojnë vendet që prodhojnë më pak ndotje.

Sipas Agjencisë Botërore Meteorologjike (WMO), kontinenti i Afrikës i cili është përgjegjës për vetëm një pjesë të emetimeve globale të gazeve serrë, dëmtohet në mënyrë disproporcionale nga ndryshimet klimatike.

Related posts

Sveçla në Bruksel: BE rikonfirmon se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave

admin

Arabia Saudite refuzon t’u japë viza anëtarëve të delegacionit izraelit për konferencën e OKB-së

rezart morina

Kurti: Komuniteti turk ka luajtur rol të rëndësishëm pozitiv në historinë tonë moderne

admin