Ministri në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë për mediat serbe se situata rreth manastirit të Banjskës është ende dramatike dhe se nuk ka shenja se do të qetësohet shpejt.
Sipas informacioneve të tij, shkruan Nova.rs, përcjell Telegrafi, një pjesë e sulmuesve kanë hyrë në manastir, ndërsa policia i ka bërë thirrje me megafon që të dorëzohen.
Siç thuhet më tej, bazuar në burime nga policia, sulmuesit janë të organizuar mirë dhe dyshohet se janë të armatosur me armë të rënda, armë dhe mortaja.
Sipas informacioneve të tij, ende nuk dihet kush janë sulmuesit.
“Situata është dramatike. Jam dëgjuar disa herë me (Xhelal) Sveçlën, ministrin e Policisë. Së fundmi ka dalë lajmi se në atë përleshje kanë mbetur të vrarë disa persona. Mëngjesin e sotëm policia u ka dërguar kërkesë për dorëzim, por nuk ka asnjë komunikim apo kontakt mes dy palëve. Policia thërret me megafon sulmuesit, por nga ana tjetër nuk ka përgjigje. Situata rreth manastirit në fshatin Banjskë është ende dramatike, nuk ka shenja se do të qetësohet së shpejti. Tani për tani është qetësi”, citohet të ketë thënë Rashiq për Nova.rs.
Ai thekson se KFOR-i është duke punuar në ndërmjetësim për momentin, për të qetësuar disi situatën.
“Ajo diplomaci duhet t’i bindë ose t’i detyrojë njerëzit të dorëzohen, sepse askush nuk është i interesuar për gjakderdhje të mëtejshme apo përkeqësim të situatës”, ka theksuar Rashiq.
Ai ka theksuar për Nova se sulmuesit ndodhen brenda dhe rreth vetë manastirit.
“Një numër sulmuesish janë brenda vetë manastirit, ndërsa disa rreth vetë manastirit. Tani për tani askush nuk e di se kush janë sulmuesit, përveç se bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë dhe të organizuar. Nga një burim nga MPB-ja kam dëgjuar se ata persona kanë pasur armë dhe mortaja. Ky armatim kërkon shumë logjistikë. Kjo është ajo që ne dimë tani për tani. Gjëja më e rëndësishme, siç më thonë (Albin) Kurti dhe Sveçla, është se ne nuk jemi për përshkallëzimin e mëtejshëm, por për një zgjidhje paqësore të situatës”, thotë Rashiq.
Ai ka shtuar se sipas informacioneve nga policia deri më tani janë vrarë dy sulmues, ndërsa të paktën një është plagosur.