Izraeli ka kërcënuar Egjiptin se do të bombardojë çdo kolonë ndihmash që shkon në Rripin e Gazës në mes të sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite në territorin palestinez, transmeton Anadolu.
Televizioni izraelit ‘Channel 13’ raportoi se paralajmërimi u përcoll në Egjipt, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Autoritetet egjiptiane deri më tani nuk kanë dhënë asnjë koment mbi kërcënimin e Izraelit.
Më herët, Izraeli goditi Rripin e Gazës për të tretën ditë radhazi, pas një sulmi në shumë fronte në qytetet izraelite pranë Rripit të Gazës.
Që nga e shtuna, mbi 1.800 njerëz janë vrarë në përleshjet e vazhdueshme, përfshirë 1 mijë izraelitë dhe afër 800 palestinezë.
Më herët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Richard Hecht, këshilloi palestinezët në Rripin e Gazës që të largohen për në Egjipt në mes të bombardimeve të rënda në Gaza.
Izraeli ka shpallur “gjendje lufte” pas sulmit të Hamasit dhe ka vendosur një bllokadë të plotë të Rripit të Gazës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të përdorë të gjithë forcën e Izraelit për të shkatërruar aftësitë e Hamasit dhe të “hakmerret për këtë ditë të zezë”.