RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ushtria izraelite pa prova të Hamasit në spitalin më të madh të Gazës

ushtria-izraelite-pa-prova-te-hamasit-ne-spitalin-me-te-madh-te-gazes

Izraeli ka marrë kontrollin e spitalit më të madh të Gazës me pretendimet se aty fshihej komanda kryesore e Hamasit, por deri më tani ka dështuar të mbështesë me fakte këto pretendime. Ndërkaq të shtunën ka kërkuar largimin e shumicës së civilëve që po strehoheshin në këtë spital

Pacientët, stafi dhe palestinezët e zhvendosur janë larguar nga spitali më i madh i Gazës të shtunën, pasi ushtria izraelite ka marrë kontrollin e plotë të tij. Largimi i civilëve nga spitali Shifa në qytetin e Gazës është bërë në ditën kur në Rripin e Gazës janë kthyer interneti dhe shërbimi telefonik.

Ushtria izraelite nisi bastisjen e spitalit të mërkurën me pretendimet se nën spital ndodhej baza komanduese e Hamasit. Mirëpo përveç sasisë së armatimit nëpër bodrum të spitalit, ushtria izraelite nuk ka gjetur prova të tjera që konfirmojnë se komanda e Hamasit ndodhej aty. Nën këto pretendime, ushtria izraelite të shtunën ka kërkuar që vetëm një pjesë e stafit të qëndronte në spital për t’u përkujdesur për pacientët të cilët nuk mund të lëvizin. Ushtria izraelite ka thënë se nuk ka urdhëruar evakuimin dhe se personeli mjekësor është lejuar të qëndrojë për t’u përkujdesur për pacientët e mbetur. Ndërkaq autoritetet palestineze kanë thënë të kundërtën. Se ushtria izraelite kishte urdhëruar spastrimin e spitalit dhe për këtë kishte ofruar vetëm një orë kohë.

Pasi ka përfunduar evakuimi nga spitali, atje kanë mbetur 120 pacientë, të cilët e kanë të pamundur të largohen, përfshirë ata në kujdesin intensiv dhe foshnjat e lindura para kohe. Ende nuk është e qartë se ku kanë shkuar të evakuuarit nga spitali Shifa, pasi 25 spitale të tjera të Gazës janë jashtë funksionit shkaku i mungesës së derivateve të naftës, dëmeve ose problemeve të tjera.

Izraeli ka deklaruar se spitalet në veri të Gazës janë cak i ofensivës tokësore që ka nisur për shtypjen e Hamasit. Ushtria izraelite ka pretenduar se spitalet po përdoren si qendra komanduese dhe depo të armëve. Këto pretendime i kanë mohuar Hamasi dhe udhëheqësit e spitaleve. Forcat izraelite kanë rrethuar shumicën e spitaleve.

Presion i madh

Qëkur mori kontrollin e spitalit më të madh të Gazës, Izraeli është përballur me presion të madh ndërkombëtar që të paraqesë faktet se Hamasi kishte qendër komanduese në tunelet nën spital.

Deri më tani Izraeli ka prezantuar vetëm fotografi dhe video të armëve që ka gjetur brenda spitalit. Bodrumin e ka cilësuar si hyrje të tunelit. Kjo nuk ka mundur të verifikohet nga mediat ndërkombëtare.

Më shumë se 12 mijë palestinezë janë vrarë në luftë, dy të tretat prej tyre janë gra dhe të mitur. Më shumë se 3 mijë e 600 janë raportuar të zhdukur dhe besohet se janë varrosur nën rrënoja.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Gazën ka deklaruar se 2.3 milionë palestinezë po përballen me mungesë ekstreme të ushqimit dhe ujit.

Vetëm të premten ka nisur shpërndarja e ndihmave humanitare në Gazë.

Pasojat e bombardimeve

Dyvjeçari Ahme dal-Amasi ka një copë bombe në pjesën e majtë të kokës. Kjo copë ka goditur nervin optik dhe i ka shkaktuar dëme syrit të tij. Ahmedi është në mesin e mijëra fëmijëve në Gaza që janë plagosur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit. Mirëpo ai është pak më me fat, sepse është larguar nga Gaza e rrethuar dhe do të trajtohet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Emiratet në fillim të muajit njoftuan se do të trajtonin 1 mijë fëmijë dhe familjet e tyre nga Gaza.

Grupi i parë i fëmijëve ka arritur të shtunën në Emiratet e Bashkuara, pasi kaluan kufirin Rafah për në Egjipt. Në mesin e fëmijëve që do të trajtohen është edhe 12-vjeçari Amr Janideh.

“Babai, xhaxhai dhe unë po ecnim në rrugë. Xhaxhai u vra, babai dhe unë jemi plagosur. Krejt papritur raketa goditi dhe humba ndjenjat, u zgjova dhe pashë veten në spital”, ka thënë Janideh.

Fëmijë me fasha në pjesë të ndryshme të trupit, me qetësi qëndrojnë në ulëset e aeroplanit. Nënat thonë se të gjithë janë të lodhur.

Mohammed Abu Tabikh është në mesin e fëmijëve të plagosur rëndë. /koha

Related posts

Numri i të vdekurve nga tërmeti kalon 7000

admin

Ukraina padit fqinjët evropianë për ndalesën në importet ushqimore

admin

Gaza, rritet në 28.985 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

rezart morina