Dy mjete të dyshuara të pashpërthyera janë gjetur gjatë së enjtes në dy lokacione të ndryshme në komunën e Gjakovës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar rreth orës 17:20 në fshatin Koshare, ku policia gjatë patrullimit në një zonë pyjore ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia për deminim e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila ka bërë shpërthimin e kontrolluar të mjetit.
Rasti i dytë u raportua rreth orës 18:35, një qytetar ka raportuar se gjatë shëtitjes në një fushë në rrugën “Bujar Koka” në Gjakovë kishte hasur në një tjetër mjet të dyshuar të pashpërthyer.
Edhe në këtë rast, njësia për deminim e FSK-së ka dalë në vendin e ngjarjes duke eliminuar rrezikun.
“Fsh. Koshare, Gjakovë/ 25.06.2026 – 17:20. Policia gjatë patrullimit në pyll kanë hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësia për deminim e FSK-së ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar”.
“Rr. Bujar Koka, Gjakovë / 25.06.2026 – 18:35. Një mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë duke shëtitur në fushë ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësia për deminim e FSK-së ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar”.

