Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, me të cilin diskutoi për sigurinë në veri dhe procesin e dialogut me Serbinë, raporton teve1.info
Sipas komunikatës së Qeverisë, në takim u diskutua për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit derisa u tha se është e rëndësishme të shtohet siguria në kufi me Serbinë.
“U bisedua edhe për situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç ‘rast theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë. Ndërkaq, për sa i takon dialogut, vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, kryeministri shprehu falënderimin e Republikës së Kosovës për mbështetjen siq tha të vazhdueshme të shtetit të Norvegjisë për zhvillimin dhe integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat euro-atlantike dhe mirëpriti emërimin e Haakon Blankenborg në pozitën e Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor.
Në takim, kryeministri foli për sukseset, arritjet dhe sfidat e qeverisjes. Ai theksoi se luftimi i korrupsionit është përkthyer në zhvillim ekonomik dhe përparim demokratik të vendit, duke u bërë kështu kampione e demokracisë në rajon. Pasi prezantoi strategjinë 2022-2030 në fushën e energjisë, kryeministri ftoi për investime të Norvegjisë në Kosovë, të cilat do të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale.