Qytetarët e Kosovës këtë muaj janë përballur me çmimet e larta sa i përket faturave të energjisë elektrike.
Lidhur me këtë ka ardhur reagimi nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kurti, ka thënë se nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovës.
E për çdo ankesë të qytetarëve, Kurti ka thënë se adresat e vetme janë KESCO dhe ZRrE.
“Nëse ka fatura të fryra, KESCO dhe ZRrE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike. Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”, ka thënë Kurti.
Më tutje Kurti u shpreh se si Qeveria ka ndihmuar qytetarët me subvencione.
“Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçiente për amvisëri edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren Ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka. Nëse ka konsum më të lartë vjen fatura më e lartë dhe natyrisht se ju e dini që ata që kanë kursyer i keni shpërblyer dhe tash kanë pajisje efiçiente me mijëra familje, andaj kush ka dyshime se ju ka fry fatura, KESCO dhe ZRrE është adresa”, u shpreh Kurti.
Këto komente, Kurti i bëri pas vizitës në “Lagjen 29” në Fushë Kosovë, ku u bë përurimi i fillimit të punëve për rregullimi e rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Fushë-Kosovës.