RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

BE-ja kërkon marrëveshje në dialog për vendimin e BQK-së

be-ja-kerkon-marreveshje-ne-dialog-per-vendimin-e-bqk-se

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Shtyrja e vendimit, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt, sipas BE-së, do të mundësonte që të adresohej ndikimi i mundshëm negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Kërkesa e bllokut vjen në ditën kur i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndron në Serbi dhe në ditën pasuese do të vizitojë edhe Kosovën.

“BE-ja ka marrë në dijeni rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë. Megjithatë, kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, tha Stano.

Stano tha se BE-ja bën thirrje “që të ketë një periudhë të mjaftueshme transitore që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar” lidhur me vendimin e BQK-së.

Ky vendim i BQK-së nga serbët në Kosovë është parë si vendim që do t’iu pamundësojë atyre të përdorin dinarin.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano.

Ndryshe, kërkesë për shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për operacionet me para të gatshme më herët kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara, por edhe shtetet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Franca dhe Britania.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ditë më parë duke komentuar deklaratat e ndërkombëtarëve për këtë gjë, i është referuar nenit të 11 të Kushtetutës së Kosovës, cili njeh vetëm euron si valutë zyrtare në Kosovë.

Related posts

“Fëmijët lypin një gllënjkë ujë ose copë bukë” në Gaza thotë shefi i UNRWA

rezart morina

34,179 viktima nga tërmeti në Turqi e Siri

admin

Murati deklarohet sërish: Mësimi fillon nesër – ata që janë në grevë pezullohen nga paga

admin