Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se deri më tani është bërë pak progres në plan të gjerë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, raporton Anadolu.
Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti dhe zv/kryeministrin Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se dëshiron që procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi të vazhdojë pasi ai u sjell të mira gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.
“Është bërë pak progres në plan më të gjerë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kemi një marrëveshje nga shkurti dhe marsi i vitit të kaluar që nënkupton se nuk kemi nevojë të pyesim se çfarë duhet bërë, madje nuk duhet të pyesim veten as se si ta bëjmë, pyetja është kur duhet bërë. Dhe normalisht nëse më pyesni mua, mendoj se sa më shpejtë që të jetë e mundur duhet filluar me implementimin e kësaj marrëveshje”, tha Lajçak.
Lajçak tha se ka pasur diskutime të gjata me kryeministrin Kurti dhe zv/kryeministrin Bislimi, duke shtuar se tani ai tha se do t’i analizojë ato që ka biseduar me përfaqësuesit shtetërorë në Beograd dje dhe ata në Prishtinë sot dhe më pas do ta informojë BE-në, ku do të vendoset për hapat e ardhshëm.
Emisari Lajçak tha se ky vit është vit specifik pasi në qershor do të ketë zgjedhje në Parlamentin Evropian dhe zgjedhje presidenciale në BE më vonë gjatë vitit 2024 dhe se fokusi i BE-së do të jetë në këto procese.
Ai po ashtu tha se me përfaqësuesit kosovarë ka folur për marrëveshjet e vitit të kaluar midis Kosovës dhe Serbisë, si në energji dhe në regjimin e letrave ngjitëse në tabelat e automjeteve.
Emisari Lajçak, i cili paraprakisht është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, erdhi në Prishtinë pas një vizite zyrtare që zhvilloi në Beograd gjatë kësaj jave, ku takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin serb të bisedimeve me Kosovën, Petar Petkoviq.