RTV AHIRETI
Lajme

Suedia ndalon mbështetjen financiare për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë

suedia-ndalon-mbeshtetjen-financiare-per-agjencine-e-okb-se-per-refugjatet-palestineze

Suedia ka vendosur të ndërpresë mbështetjen financiare për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), duke iu bashkuar disa vendeve të tjera që kanë pezulluar fondet pas akuzave izraelite se disa punonjës të organizatës humanitare ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit, transmeton Anadolu.

Siç raporton transmetuesi publik SVT, sekretari për media i Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), Johan Tjerneng, tha se “derisa të përfundojë hetimi nga OKB-ja, ne nuk do të japim asnjë kontribut financiar”.

Deri atëherë, theksoi ai, fondet me vlerë 31 milionë korona suedeze (2.98 milionë dollar) do të kanalizohen në Kryqin e Kuq dhe Programin Botëror të Ushqimit.

Duke komentuar këtë çështje, ministri i Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar, Johan Forssell, tha se është një “vendim i duhur në dritën e informacionit shumë serioz që ka dalë në dritë ditët e fundit”.

Megjithatë, zëdhënësi i politikës së jashtme të Partisë së Majtë të opozitës, Hakan Svenneling, paralajmëroi se është e rëndësishme të mos ndëshkohet e gjithë organizata ose populli palestinez.

Disa vende, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Austrinë dhe Japoninë, kanë pezulluar fondet për agjencinë e themeluar në vitin 1949 për t’u kujdesur për refugjatët palestinezë në Gaza, Bregun Perëndimor, Jordani, Siri dhe Liban.

Agjencia është e përfshirë në arsimin fillor dhe profesional, kujdesin parësor, shëndetësor, ndihma dhe shërbimet sociale, në infrastrukturën dhe përmirësimin e kampeve, si dhe në reagimin ndaj emergjencave.

Agjencia e OKB-së thotë se ka hapur një hetim mbi akuzat dhe ka ndërprerë lidhjet me ata anëtarë të stafit.

Izraeli ka vrarë mbi 26 mijë njerëz që nga ofensiva ndërkufitare e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas. Sulmi po ashtu ka çuar në zhvendosje masive, shkatërrim dhe kushte të urisë.

Në fund të vitit 2023, Afrika e Jugut ngriti një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e akuzuar Izraelin për dështimin në respektimin e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.

Gjykata e OKB-së, në vendimin e saj të përkohshëm javën e kaluar, tha se pretendimet e Afrikës së Jugut janë të besueshme. Ai urdhëroi masa të përkohshme për qeverinë izraelite që të heq dorë nga aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në enklavën e bllokuar.

Related posts

Të paktën 17 të vdekur pasi autobusi ra në lumë në Nepal

Muhamet Ramadani

Kosovë, digjen dy kamionë në veri që ishin vendosur si barrikada

admin

Ky lider europian, thirrje BE-së nga avioni pas kthimit nga Moska

admin