Kryesuesja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, i ka reaguar ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pasi ai kishte akuzuar autoritetet e Kosovës se po nxisin tensione.
Hovenier në një reagim të shtunën mbrëma ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit, të publikuar të shtunën në mbrëmje në platformën “X”.
E ndaj kësaj ka reaguar Kearns në platformën “X”.
“Ku është ekuilibri? A patëm deklaratë si kjo nga SHBA-ja pas kidnapimit ilegal të tre zyrtarëve policorë nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist në Banjskë mbetet shurdhuese”, ka shkruar Kearns.