RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA po vlerëson raportet se Izraeli po dëmton civilët në Gaza

shba-po-vlereson-raportet-se-izraeli-po-demton-civilet-ne-gaza

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka bërë të ditur se sipas një iniciative të re, SHBA-ja po vlerëson raportet se Izraeli po dëmton civilët në luftën e tij në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Ne kërkojmë të vlerësojmë plotësisht raportet e dëmtimit të civilëve nga marrës të autorizuar të mbrojtjes së ofruar nga SHBA-ja në mbarë botën, duke përfshirë Udhëzuesin për Reagimin ndaj Incidentit të Dëmtimeve Civile, CHIRG”, u tha Miller gazetarëve.

“Ne nuk mund të komentojmë mbi specifikat e rishikimeve të vazhdueshme, por siç kemi thënë më parë, ne po shqyrtojmë incidentet në konfliktin aktual (në Gaza) sipas procesit të përcaktuar në CHIRG”, shtoi ai.

Sipas mekanizmit, theksoi Miller, departamenti po vlerëson ofensivën e vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

I pyetur nëse SHBA-ja po vlerëson nëse Izraeli po kryen operacionin e tij ushtarak në përputhje me ligjin ndërkombëtar, Miller tha: “Ne po monitorojmë situatën në zhvillim në Gaza dhe po shqyrtojmë faktet derisa ato zhvillohen si pjesë e punës sonë të rregullt dhe procesit normal”.

“Unë nuk do të hyj në atë se si duken diskutimet e brendshme”, shtoi ai.

Sipas tij, ai proces nuk ka për qëllim të funksionojë si një mekanizëm i reagimit të shpejtë.

“Përkundrazi, ai është krijuar për të vlerësuar sistematikisht incidentet e dëmtimit civil dhe për të zhvilluar përgjigjet e duhura të politikave për të zvogëluar rrezikun e incidenteve të tilla që të ndodhin në të ardhmen dhe për të drejtuar partnerët për kryerjen e operacioneve ushtarake në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha Miller.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë lëshoi një direktivë që u kërkon vendeve që marrin armë nga SHBA-ja të japin garanci “të besueshme” me shkrim për Departamentin e Shtetit se ato janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Kjo masë erdhi derisa SHBA-ja po përballet me një breshëri kritikash për ofrimin e ndihmës ushtarake për Izraelin, pavarësisht raporteve për shënjestrimin e civilëve me mbi 28 mijë të vrarë në Gaza, si dhe raporteve të besueshme për shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Gjatë dekadave, Izraeli ka qenë përfituesi më i madh i ndihmës së huaj nga SHBA-ja.

Të hënën, senatori amerikan, Chris Van Hollen, në sallën e Senatit tha se “fëmijët në Gaza tani po vdesin nga ndalimi i qëllimshëm i ushqimit”.

Po ashtu të hënën, edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimi Evropian (BE), Josep Borrell, tha se Izraelit duhet t’i bëhet presion që të mos sulmojë qytetin Rafah në jug të Gazës.

“Nëse besoni se numri i vdekjeve është shumë i lartë, ndoshta mund të bëni diçka në lidhje me të”, u kërkoi Borrell partnerëve të huaj të bllokut evropian.

Ai shtoi se ndryshe nga SHBA-ja, BE-ja nuk po i siguron armë Izraelit.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 28.743 palestinezë dhe duke plagosur rreth 68.150 të tjerë.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm këtë janar urdhëroi Tel Avivi të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Related posts

OKB: Mbi 400 migrantë kanë vdekur në Mesdhe gjatë këtij viti

rezart morina

Ministri gjerman i ekonomisë: Evropa paguan çmimin për varësinë e Gjermanisë nga gazi rus

admin

Gjendet një veturë në lumin Lepenc, pritet të konfirmohet nëse është e familjes Pacolli

admin