RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

TC “Kosova A” jashtë funksionit, KEK-u merr energji nga KESH-i dhe blen

tc-“kosova-a”-jashte-funksionit,-kek-u-merr-energji-nga-kesh-i-dhe-blen

Pak ditë pas kthimit në funksion, Korporata Energjetike e Kosovës është detyruar që ta nxjerrë nga sistemi njësinë A3 të termocentralit “Kosova A” për shkak të disa defekteve të shkaktuara në ndërprerësin e gjeneratorit. Nga KEK-u kanë thënë se megjithëkëtë nuk do të ketë reduktime të energjisë elektrike, pasi që kjo ndërmarrje do ta furnizojë KEDS-in ashtu siç ishte e planifikuar. KEK-u është duke marrë energji që ka depozituar në Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë dhe një pjesë të vogël është duke e blerë. Njohës të fushës së energjisë kanë kërkuar nga Qeveria që ta shtyjë përpara aprovimin e Strategjisë për energji dhe që të zbatohen hapat e paraparë në të
Ende pa u bërë një javë qëkur është kthyer në funksion, njësia A3 e termocentralit “Kosova A” është ndalur të hënën, si pasojë e disa problemeve në ndërprerësin e gjeneratorit dhe nuk pritet që të kthehet në funksion deri të martën mbrëma.

Ani se ende nuk dihen shkaqet e defektit, të cilët ndikuan që furnizimi me energji të jetë për rreth 135 megavate orë më pak, nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kanë thënë se është duke u punuar në identifikimin e shkaktarëve dhe për rikthimin në funksion të bllokut brenda një kohe optimale.

Megjithëkëtë, nga KEK-u kanë thënë se nuk do të ketë reduktime të energjisë pasi që ndërmarrja do ta bëjë furnizimin e KEDS-it ashtu siç ishte e planifikuar. KEK-u aktualisht është duke marrë energji të cilën e ka depozituar në Korporatën Energjetike të Shqipërisë, ndërsa një pjesë të vogël është duke e blerë.

“KEK-u ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të paraqitura, si pasojë e daljes së njësisë A3, në mënyrë që kjo ndalje të mos reflektojë në mungesë të energjisë për qytetarët e vendit”, kanë bërë të ditur nga KEK-u.

KEK-u aktualisht është duke operuar vetëm me dy njësi të termocentralit “Kosova B”, të cilat prodhojnë rreth 440 megavate orë energji elektrike. Kërkesat për rrymë gjatë ditëve të fundit janë afro 750 megavate për orë. Por, me rekomandim të Komitetit për Energji, KEK-u është duke blerë rrymë me 7 milionë eurot, sa i kanë mbetur nga subvencionimi prej 20 milionë eurosh që i ishte bërë në fund të vitit të kaluar.

Lulzim Syla, ekspert i fushës së energjisë, ka vlerësuar se rëniet e shpeshta të njësive të termocentraleve të KEK-ut flasin mbi nevojën për të shtyrë përpara aprovimin e Strategjisë së Energjisë dhe për zbatimin e hapave të paraparë në të.

Ai ka kërkuar që të fillohet me zbatimin e masave efiçiente të energjisë, të cilat do të kursenin energji elektrike.

“Implementimi i masës efiçiente, siç është ndërtimi i kapaciteteve për ngrohje për çka në qytetet e Kosovës ka filluar studimi, është mundësia për të ndërtuar kapacitetet e reja të energjisë së ripërtërishme, siç janë ato të energjisë solare dhe me erë, si dhe të bëhen studime të shpejta në analizë të shfrytëzimit të gazit, hidrogjenit dhe teknologjive të tjera që ia mundësojnë Kosovës që të bëjë një transicion të mirë të energjisë, një dekarbonizim dhe të mos varemi nga kapacitet e vjetruara të termocentraleve”, ka thënë Syla.

Me gjithë përpjekjet e bëra për të rehabilituar termocentralet e KEK-ut, Syla ka theksuar se teknologjia dhe vitet e ndërtimit të tyre tregojnë se ato janë jashtë çdo parashikimi për të funksionuar. Por ai ka shtuar se përkushtimi i punëtorëve të ndërmarrjes ka bërë që ato të vazhdojnë të kenë një kapacitet modest të prodhimit.

Qeveria në mbledhjen e fundit ka vazhduar masat emergjente të furnizimit me energji dhe ia ka propozuar Kuvendit zgjatjen e masave “me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme”.

Në një njoftim nga Qeveria është bërë e ditur se zgjatja e masave bëhet për shkak të rritjes se kërkesës për energji dhe për gjendjen jostabile të furnizimit me energji elektrike.

“Mungesa e energjisë vjen si pasojë e vjetërsisë së kapaciteteve aktuale gjeneruese, investimet parciale në këtë sektor dhe rritja e vazhdueshme e konsumit. Kjo shtron nevojën emergjente të zgjatjes së masave për 30 ditë, për shkak të nevojave që mund të paraqiten nga pasojat e krizës energjetike ndërkombëtare”, është bërë e ditur në vendim.

Vendimin e fundit për masat emergjente të furnizimit me rrymë Qeveria e mori në fillim të gushtit. Pak ditë më pas Kuvendi i ka miratuar ato. Masat e marra asokohe ishte paraparë që të mbeteshin në fuqi për 60 ditë, që pas aprovimit në Kuvend.

Masat e emergjencës mes tjerash përfshijnë masat mbështetëse për qytetarët, me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe masën për kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Qeveria po ashtu u ka bërë thirrje institucioneve, qytetarëve dhe bizneseve që të kursejnë energjinë elektrike. Në kuadër të disa masave të aprovuara, Ekzekutivi ka ndaluar eksportin e peletit dhe të lëndëve djegëse me bazë drurin, ndërsa ka paraparë edhe subvencionim për ata që kursejnë energji.

Related posts

U mbajt programi i titulluar “Dashuria ndaj vatanit është pjesë e imanit”

rezart morina

Autoblindë e helikopterë të KFOR-it monitorojnë situatën në Banjskë

rezart morina

Meksikë, të paktën 39 emigrantë të vdekur nga zjarri në një objekt emigrantësh – VIDEO

rezart morina