Një konflikt të ri të mundshëm mes Kosovës e Serbisë nuk po e përjashton deputeti ukrainas, Aleksander Merezhko. Për Tëvë1, ai u shpreh se shqetësuese mbetet mossanksionimi i Serbisë ndaj Rusisë. Teksa komentoi edhe Samitin për Ukrainën që do të mbahet në Tiranë, nesër dhe pasnesër.
Për herë të parë do qëndrojë në Shqipëri.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy të martën do aterojë në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin dedikuar tërësisht Ukrainës.
E këtë samit, të rëndësishëm po e sheh deputeti ukrainas, Aleksander Merezhko.
Për tëvë1 ai tha se Ukraina është e interesuar për stabilitet dhe paqe në Ballkan.
“Kjo është e rëndësishme sepse pres që presidenti Zelensky do të ketë takime bilaterale me udhëheqësit e vendeve ballkanike. Kemi shumë deklarata nga anëtarët e BE-së se mund të ketë tensione në Kosovë e rajon. Njëkohësisht, kur flasim për situatën politike në Ballkan, ekziston një shqetësim. Ne kemi frikë që Putini me aleatët e tij në Ballkan, ndoshta po tentojnë të hapin një luftë të re ballkanike. Do të ishte një goditje për Ukrainën, sepse do të krijonte shpërqendrim. Prandaj e shohim si shumë të rrezikshme dhe ne jemi të interesuar për stabilitet dhe paqe në Ballkan”, ka deklaruar Aleksander Merezhko- deputet në Parlamentin e Ukrainës.
I pyetur për dialogun Kosovë – Serbi, Merezhko u shpreh se për të pasur paqe në rajon, të dyja vendet duhet të arrijnë marrëveshje.
“Që ky dialog të jetë produktiv, duhet të ketë besim mes palëve. Unë shpresoj që Serbia do të jetë më e gatshme për shembull, njohjen e faktit që Kosova ekziston. Kjo ka rëndësi. Kosova tashmë është njohur nga shumica e vendeve të BE-së. Kosova dëshiron të jetë pjesë e BE-së, me sa e di unë. Ky është një fakt që duhet të pranohet nga Serbia”, është shprehur Merezhko.
Për televizionin, Merezhko komentoi dhe deklaratën e ambasadorit ukrainas në Serbi ditë më parë, i cili ka thënë se Ukraina nuk do ta njoh kurrë Kosovën si shtet.
Siç tha ai, shteti i tij po përcjell nga afër përkrahjen të cilën po ia jep Kosova në luftën kundër Rusisë.
“Ukraina dhe presidenti ende nuk janë të gatshëm të pranojnë Kosovën. Në anën tjetër nëse pyetni përfaqësuesit e shoqërisë civile, politikanët në Ukrainë, e shihni që përkrahja e Kosovës në Ukrainë po rritet për një arsye të thjeshtë. Sepse Kosova përkrahë Ukrainën, dhe ne e shohim këtë. Në anën tjetër, Serbia çdo ditë e më shumë po përkrahë Rusinë dhe Kinën. Dhe për neve, kur Serbia nuk vendos sanksione kundër Rusisë, është një shenjë shumë shqetësuese. Kur presidenti Vuçiç ka takime me Putinin ose liderët kinezë, nënkupton që Serbia nuk po lëviz në rrugën e demokracisë dhe Evropës. Fatkeqësisht disa vëzhgues deklarojnë që Serbia është pion i Rusisë, që është pikëlluese ta dëgjosh”, ka deklaruar deputeti ukrainas.
Ditë më parë, Ukraina hyri në vitin e tretë të luftës pas agresionit rus, i cili ka lënë të vrarë mijëra qytetarë ukrainas.