Grupi Houthi njoftoi sot se SHBA-ja dhe Britania kanë kryer gjashtë sulme të tjera ajrore në provincën bregdetare Al-Hudaydah në Jemenin perëndimor, transmeton Anadolu.
“Një agresion SHBA-Britani shënjestroi zonën Ras Issa në Salif dhe rajonin Al-Faze të rrethit At-Tuhayta në provincën Hudaydah me pesë sulme”, tha kanali Al-Masirah i lidhur me Houthit.
Aeroporti Al-Hudaydah u sulmua gjithashtu, shtoi ai.
Ai nuk specifikoi pasojat e sulmit dhe nuk ka pasur asnjë përgjigje nga SHBA-ja apo Britania.
Al-Hudaydah është provincë e rëndësishme jemenase, me tri porte jetike përveç, një brezi të gjatë bregdetar.
Që nga fillimi i vitit 2024, një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja ka kryer sulme ajrore për të cilat thotë se synojnë vendndodhjet e Houthive në pjesë të Jemenit në përgjigje të sulmeve të grupit në Detin e Kuq. Kundërsulmet janë pritur herë pas here me hakmarrje nga grupi.
Në solidaritet me Gazën, e cila po përballet me një ofensivë shkatërruese izraelite, Houthit kanë shënjestruar me raketa dhe dronë anijet izraelite të mallrave ose ato të lidhura me Tel Avivin në Detin e Kuq, duke shprehur vendosmërinë për të vazhduar operacionet deri në fund të luftës në enklavë.
Me ndërhyrjen e Washingtonit dhe Londrës dhe një përshkallëzim të tensioneve, Houthit kanë njoftuar se tani i konsiderojnë të gjitha anijet amerikane dhe britanike si objektiva ushtarake.