Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur sot se Kosova do t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës.
Në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadoulu, Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.
Ai tha se ndihma, të cilën ai e quan modeste, është shumë e rëndësishme për Ukrainën në këtë fazë të vështirë të luftës së tyre për liri.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci.
Gjatë takimit të 20-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ministri Maqedonci kishte ka konfirmuar se Kosova do të kontribuojë me një paketë të parë të ndihmës ushtarake.
Më 24 shkurt të këtij viti, janë bërë dy vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.