Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi Listën e Votuesve për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.
Kjo listë përmban 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023.
Sipas të dhënave, numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë, është: 1,826 votues, prej të cilëve: 293 votues të rinj që pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill 2023, kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç dhe 1,533 votues që nuk kanë qenë në Listën e Votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill 2023, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Registrin Qendror Civil apo votues të cilët kanë ndërruar komunën pas atyre zgjedhjeve.
Sipas raportit të Listës së Votuesve, numri i votuesve që janë larguar si të vdekur, që kanë ndërruar komunën apo kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill 2023 është 365.
Gjatë periudhës për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës (18 mars – 3 prill 2024) janë paraqitur 12 kërkesa dhe të njëjtat janë aprovuar.
Ndërkaq, gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës (29 mars – 5 prill 2024) KQZ ka pranuar 2 kërkesa dhe të njëjtat janë aprovuar. Dy votuesit e regjistruar suksesshëm janë larguar nga Lista e Votuesve brenda Kosovës dhe të njëjtit do të mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 10 prill dhe përfundon më 20 prill 2024, raporton RTK.
KQZ miratoi procedurën për përdorimin e kamerave në vendvotime, proces i planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ, më saktësisht me Rregulloret Zgjedhore Nr. 11/2024 për Këshillat e Vendvotimeve dhe Nr. 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e Vendvotimit. Këto dhe Rregulloret tjera Zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore dhe vendosja e kamerave në vendvotime bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.
Sipas procedurës së miratuar nga KQZ, vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër ku do të jetë kabina e votimit si dhe ruajtja e regjistrimeve do të jetë e përkohshme, deri në asgjësimin e materialeve zgjedhore, 60 ditë.
Gjatë procesit të votimit, në ditën e zgjedhjeve, nuk do të bëhet monitorimi i kamerave dhe se qasja në imazhe mund të sigurohet vetëm nga institucionet ligjzbatuese.