RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Begaj: Anëtarësimi në NATO është një moment krenarie për Shqipërinë

begaj:-anetaresimi-ne-nato-eshte-nje-moment-krenarie-per-shqiperine

Komanda e Forcës Tokësore të Shqipërisë ka organizuar aktivitetin “Ditë e Hapur”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë, diplomatëve dhe ushtarakëve, me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 75-vjetorit të themelimit të NATO-s, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se presidenti Bajram Begaj, njëkohësisht dhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndoqi nga afër demonstrimet e kryera nga ushtarakët shqiptarë në kuadër të aktivitetit.

Presidenti Begaj vizitoi edhe stendat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ku u prezantuan pajisjet dhe kapacitetet për mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe sistemet e komunikimeve taktike, operacionale dhe strategjike të ushtrisë shqiptare.

Sipas njoftimit, gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, presidenti Begaj theksoi rëndësinë e aktit historik të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kontributin në misionet paqeruajtëse, si dhe rolin në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

“Vendosmëria e Shqipërisë për të kontribuar në siguri dhe mbrojtje tregon se jemi një partner i besueshëm dhe i përkushtuar në Aleancën Euroatlantike”, ka deklaruar presidenti Begaj.

Begaj ka theksuar se Shqipëria në NATO ishte objektiv parësor dhe synim strategjik dhe sipas tij anëtarësimi në NATO është një moment krenarie për Shqipërinë.

“Prania jonë në Aleancë i shërben mbrojtjes së vendit nga kërcënimet e jashtme dhe kontribuon në ndërtimin e një rajoni më të sigurt e më të qëndrueshëm. Këtë vit përkujtuam 25-vjetorin e çlirimit të popullit të Kosovës falë ndërhyrjes së NATO-s nën udhëheqjen e SHBA-së. Kombi shqiptar nuk do ta harrojë kurrë këtë. Vendosmëria e NATO-s për të mos lejuar spastrimin etnik për shqiptarët e Kosovës, sot merr një vlerë të jashtëzakonshme”, është shprehur Begaj.

Data zyrtare e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është 1 prill 2009. Shqipëria mori për të parën herë pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si vende të reja anëtare.

Related posts

Shqipëria ftohet ta hapë kapitullin e parë në bisedimet për anëtarësim në BE

admin

Osmani në Austri: Integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën

admin

I akuzuar për abuzime s*ksuale, Gjykata e Apelit në Nju Jork rrëzon dënimet ndaj producentit të Hollywood: Prokurorët e çështjes kanë…

admin