Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje, ku temë kryesore ishte sulmi i Iranit ndaj shtetit të Izraelit, dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.
Mbledhja e këtij këshilli u bë me ftesën e kryeministrit Albin Kurti.
Në komunikatën drejtuar mediave thuhet se Irani kreu sulm ndaj Izraelit me dronë Shaheed, e që dronë të tillë ka edhe Serbia.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë. Sulmi u krye me dronë Shaheed, prodhim iranian. Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaqë sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë”, thuhet në njoftim.
Tutje, në komunikatë thuhet se institucionet e Sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar, dhe janë duke e monitoruar gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë.
Ndryshe, të shtunën, Irani ka lëshuar një numër dronësh në drejtim të Izraelit.
Sulmi ndaj Izraelit u dënua ashpër edhe nga liderët kosovarë.