Bashkimi Evropian e ka vlerësuar shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes veprimin e autoriteteve të Serbisë, e cila ka bllokuar qytetarët kosovarë në kufijtë e saj, teksa i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se janë duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar.
Ai tutje ka thënë se BE-ja pret që palët të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre të dialogut, që sipas tij mbeten të vlefshme dhe detyruese.
“Ne gjithashtu presim që palët të sigurojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e dialogut dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin”, ka theksuar tutje Stano.
Reagimi i Bashkimit Evropian vjen pasi autoritetet serbe kanë bllokuar dhjetëra autobusë me qindra udhëtarë nga Kosova, duke mos lejuar hyrjen në Serbi. Krerët e institucioneve në Kosovë një veprim të tillë e kanë vlerësuar si hakmarrje të Serbisë ndaj civilëve kosovar për votimin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE në Asamblenë Paralamentare./RTK/
The post Reagon BE-ja: Serbia shkeli marrëveshjen për lëvizjen e lirë, i bëjmë thirrje të përmbahet nga veprime të tilla first appeared on Radio Televizioni Iliria.