Qytetarët në veri të vendit janë duke votuar në referendumin për shkarkimin apo jo të kryetarëve të katër komunat veriore.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe deri më tani ka pasur përqindje të ultë të qytetarëve për të votuar.
Ndërsa, deri në orën 11:00 sipas KQZ-së, në katër komunat në veri kanë votuar 85 qytetarë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok 7, Zveçan 0 dhe Mitrovicë e Veriut 32 votues.
Por, çfarë thotë Udhëzimi Administrative nëse dështon procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve?
Neni 7
3.Nëse shumica e votuesve të komunës përkatëse nga lista e përfundimtare e votuesve, pesëdhjetë për qind plus 1 (50% + 1), votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni.
4.Nëse numri i votuesve që kanë votuar për largimin e kryetarit të komunës nuk arrin 50%+1, konsiderohet se iniciativa për largimin e kryetarit të komunës ka dështuar.
5.Nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë për largimin e kryetarit të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh nga dita e konstatimit përfundimtar për dështimin.