Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se do ta fillojnë sulmin tokësor ndaj qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës, pavarësisht nëse do të arrihet apo jo marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin, transmeton Anadolu.
Zyra për media e kryeministrit izraelit tha se Netanyahu u takua me përfaqësuesit e të afërmve të pengjeve izraelite në Gaza. Duke thënë se nuk do t’i ndalin sulmet në Gaza “derisa të arrijnë qëllimet e tyre”, Netanyahu theksoi se do të nisin sulm tokësor në Rafah, pavarësisht nëse do të arrihet apo jo marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve.
Ka tërhequr vëmendje që njoftimi i Netanyahut për sulm tokësor në Rafah ku janë strehuar 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur erdhi gjatë periudhës kur negociatat për shkëmbimin e të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit po vazhdonin.
Negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë në mënyrë indirekte. Në lajmet e paraqitura dje në mediat egjiptiane thuhej se delegacioni i Hamasit është larguar nga kryeqyteti egjiptian, Kajro, dhe se përgjigjen ndaj propozimit për marrëveshjen e armëpushimit do ta japë me shkrim.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron dje në Rijad deklaroi se Hamasit i është propozuar 40 ditë armëpushim dhe lirimi i mijëra pengjeve palestineze në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite.
– Sulmi i mundshëm i Izraelit në Rafah
Qyteti Rafah i vendosur në jug të Gazës në kufirin me Egjiptin kishte rreth 280 mijë banorë para sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve të Izraelit më 7 tetor 2023, të paktën 1.9 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2.3 milionë.
Shumica e palestinezëve që u larguan nga sulmet izraelite, u strehuan në Rafah, për të cilin Izraeli ka pretenduar më parë se “ishte i sigurt”. Bashkë me të zhvendosurit nga rajonet veriore, popullsia e qytetit Rafah është rritur më shumë se 4 herë, duke arritur në gati 1.5 milion.
Për shkak të mungesës së banesave të mjaftueshme, një pjesë e madhe e palestinezëve që janë strehuar në Rafah po luftojnë për mbijetesë në kampet e përbëra nga tenda të improvizuara. Ushtria izraelite shpeshherë shënjestron qytetin Rafah me sulme ajrore. Ka shqetësime se civilëve nuk do t’u mbetet më vend për t’u strehuar në Rripin e Gazës, nëse ushtria izraelite fillon sulm tokësor në Rafah.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare ka përsëritur shumë herë se ka miratuar planin për sulm në Rafah, në një deklaratë më 8 prill tha se është caktuar data për sulmin. Televizioni shtetëror izraelit KAN ka njoftuar se ushtria izraelite do të fillojë “shumë shpejt” sulmin tokësor në Rafah.