Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i të vrarëve në enklavën e bllokuar nga sulmet e pamëshirshme izraelite që nga tetori i kaluar ka arritur në 36.284, raporton Anadolu.
Të paktën 82.057 njerëz janë plagosur gjithashtu nga sulmi, shtoi ministria në një deklaratë.
“Forcat izraelite vranë 60 persona, plagosën 280 të tjerë në pesë masakra kundër familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria, duke shtuar:
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë deri te ata”.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në enklavën palestineze që nga 7 tetori 2023 pas një sulmi të Hamasit, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në enklavë.
Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë shndërruar në rrënoja mes një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin që të ndalojë menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të fillonte pushtimi më 6 maj.