RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmetShëndetësi

Parandalohet rritja joracionale e çmimit të barnave në Kosovë

parandalohet-rritja-joracionale-e-cmimit-te-barnave-ne-kosove

Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare AVONET ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar vendimin e komisionit të caktuar nga vetë Ministria për caktimin e çmimeve të produkteve medicinale.

AVONET thotë se ky proces vjen si kërkesë e Ligjit për çmimet e produkteve medicinale, i cili ka hyrë në fuqi me 18 gusht të vitit 2023, ku në dispozitat e këtij ligji, konkretisht në nenin 19 të tij parashihet që lista e çmimeve të barnave të publikohet për herë të parë 4 muaj pas hyrjes në fuqi, e zbatimi i tij të fillojë 6 muaj pas.

Mirëpo, sipas këtij rrjeti të OJQ-ve, Ministria e Shëndetësisë është vonuar në zbatimin e kësaj kërkese ligjore, ku vetëm në janar të këtij viti ka formuar komisionin për caktimin e çmimeve të produkteve medicinale.

Në këtë drejtim, AVONET thotë se me datë 15.05.2024 përmes vendimit me nr.prot. 05-3676, të ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë, është aprovuar propozimi i komisionit për caktimin e çmimeve të barnave në tregun faramaceutik të Republikës së Kosovës.

“AVONET pas publikimit të vendimit në faqet zyrtare të AKPPM-së dhe MSH-së, ka analizuar në tërësi vendimin e cekur më lartë, me theks të veçantë ka analizuar caktimin e çmimeve për shitjen e produkteve medicinale, ku kemi vërejtur se komisioni me rastin e caktimit të çmimeve nuk ka zbatuar plotësisht metodologjinë që parashihet edhe në dispozitat e ligjit përkatës. Sipas nenit 8.2 të Ligjit për çmimet e produkteve medicinale, referencë për caktimin e çmimeve të produkteve medicinale duhet të jenë publikimet e raporteve zyrtare më të reja të kohës, në portalet zyrtare në rrjetet e institucioneve përgjegjëse zyrtare të këtyre shteteve referente: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kroacisë dhe vendit të origjinës së produktit. Deri te ky konstatim AVONET ka arritur pas konsultimit me ekspertë të fushës farmaceutike dhe pronarë të barnatoreve që operojnë në tregun farmaceutik të Republikës së Kosovës”, thotë AVONET në njoftimin për media.

Pas kësaj analize, AVONET thotë se ka ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të trajtimit të kësaj çështjeje, ku me datë 21.05.2024, duke shfrytëzuar dispozitat e ligjit pozitiv për qasje në dokumente publike, ka kërkuar qasje në të gjitha shkresat e komisionit, me qëllim analizimin e plotë të punës së këtij komisioni, me theks të veçantë analizimin e metodës se si kanë arritur deri te caktimi i këtyre çmimeve.

“Sipas analizës tonë, shohim se çmimet e propozuara nga komisioni dhe të materializuara përmes vendimit të ministrit të MSh-së, në shumicën e rasteve janë dukshëm më të larta se çmimet aktuale në tregun farmaceutik në vendin tonë. Megjithatë, nga zyrtarët përgjegjës të MSh-së, kemi hasur në neglizhencë në drejtim të trajtimit brenda afatit kohor ligjor të kërkesës për qasje në dokumente publike, me arsyetimin e vetëm se jemi në proces të mbledhjes së dokumentacionit, ku ende deri më sot nuk kemi pranuar dokumentet e kërkuara”.

“Mirëpo, me datë 07.06.2024 përmes vendimit nr.prot. 05-4289 të ministrit të MSh-së, u anulua vendimi me nr.prot. 05-3676, ku edhe u obligua komisioni për caktimin e çmimeve të produkteve medicinale, të hartojë një listë të re ku duhet të ketë parasysh edhe udhëzimet e dhëna nga komisioni i ankesave pranë MSh-së”, ka thënë AVONET.

Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare AVONET vlerëson se ky është një hap i duhur i marrë nga ministri i Shëndetësisë, “për faktin se me këtë veprim po mbrohet interesi i përgjithshëm qytetar, duke siguruar një çmim real sipas tregut dhe nivelizim në tërësi të çmimeve, që janë edhe qëllime të Ligjit për caktimin e çmimeve të produkteve medicinale”.

Related posts

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji!

rezart morina

Shefi i ndihmës i OKB-së shpreson se pauza do të çojë në armëpushim

admin

Frikë për “grusht shteti” në Bolivi, trupa të armatosur dhe automjete të blinduara mësyjnë drejt godinës qeveritare

admin