RTV AHIRETI
FeaturedLajmeLajmetShqipëri

Tensione në protestën para Bashkisë së Tiranës

tensione-ne-protesten-para-bashkise-se-tiranes

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërkohë edhe protesta e 12-të është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, raporton Anadolu.

Protesta është organizuar përsëri me thirrjen e përfaqësuesve e partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë protestës u hodhën molotovë, tymuese dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë, ndërkohë u dogjën edhe goma. Protesta u shoqërua me tensione dhe incidente, ku disa protestues u përplasën me forcat e policisë, ndërkohë policia hodhi ndaj tyre ujë.

Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, gjatë fjalës në protestë u shpreh se askush nuk e ka betejën me policinë.

“Kjo është protesta e 12-të që jemi bashkë dhe do të vijojmë të jemi bashkë. Ne nuk tërhiqemi, kjo betejë do të vijojë deri në fund”, tha Këlliçi, duke iu drejtuar protestuesve.

Koordinatori rajonal i PD-së për Tiranën dhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu theksoi se sot i kërkojnë çdo qytetari të bashkohet “në revoltën qytetare kundër vjedhjes dhe kundër korrupsionit”.

“Nuk ka presion me drejtësi të kapur që do të mund të ndalojë opozitën. Është koha që të gjithë t’u kthejmë institucionet e shtetit qytetarëve”, u shpreh Balliu.

Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe gjatë javës së ardhshme.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.

Related posts

Rriten çmimet e naftës, ankohen qytetarët

admin

Olena Zelenska bën thirrje për kthimin e 19,000 fëmijëve të ‘rrëmbyer’ nga Rusia

rezart morina

Turqia dhe Izraeli ranë dakord të riemërojnë ambasadorët

admin