RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Iran, nis votimi për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

iran,-nis-votimi-per-raundin-e-dyte-te-zgjedhjeve-presidenciale

Sot në Iran u hapën vendvotimet për balotazhin e parë presidencial në më shumë se 19 vjet, ndërsa reformistët kërkojnë të rimarrin pushtetin, raporton Anadolu.

Dy kandidatë – Masoud Pezeshkian, ligjvënës reformist dhe ish-ministër i Shëndetësisë, dhe Saeed Jalili, ish-negociator kryesor konservator bërthamor dhe sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare – po garojnë për presidencën.

Pezeshkian dhe Jalili dolën si kryesues në zgjedhjet e parakohshme presidenciale të 28 qershorit, por nuk arritën të sigurojnë 50 për qind plus një votë të nevojshme për fitore që në raundin e parë.

Qendrat e votimit në gjithë vendin u hapën për votuesit sot në orën 8:00 të mëngjesit me kohën lokale. Sipas ligjit, votimi do të vazhdojë deri në orën 18:00.

Procesi i parashikuar i votimit 10-orësh ka të ngjarë të zgjatet nga Ministria e Brendshme, e cila menaxhon zgjedhjet, për të akomoduar më shumë votues.

Në zgjedhjet e parakohshme presidenciale të 28 qershorit, votimi u zgjat tri herë dhe përfundoi në mesnatë, por pjesëmarrja e votuesve ishte ende më e ulëta që nga Revolucioni iranian i vitit 1979, me 40 për qind.

Rreth 61 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare. Në zgjedhjet e vitit 2021, të drejtë vote kishin 59,3 milionë njerëz.

Rreth 10 milionë iranianë që jetojnë jashtë shtetit kanë gjithashtu të drejtë të votojnë në këto zgjedhje të parakohshme në 344 qendra votimi të ngritura në vende të ndryshme.

Në zgjedhjet e 28 qershorit, sipas selisë zgjedhore, jashtë shtetit u hodhën 97.967 vota. Qeveria kanadeze, megjithatë, nuk lejoi qendrat e votimit.

Gjithsej 58.640 qendra votimi janë ngritur për këtë balotazh brenda Iranit, ngjashëm me raundin e mëparshëm, me më shumë se 6.000 prej tyre vetëm në kryeqytetin Teheran.

Numërimi i votave do të nisë menjëherë pas mbylljes së votimit dhe Ministria e Brendshme do të shpallë rezultatet në faza deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare paraditen e së shtunës.

Shumica e sondazheve, duke përfshirë një nga agjencia kryesore e sondazheve e vendit, përpara balotazhit të zgjedhjeve treguan se Pezeshkian ka një avantazh ndaj kundërshtarit të tij konservator.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka kërkuar pjesëmarrje më të madhe në votimin e balotazhit, duke e përshkruar pjesëmarrjen e votuesve si “shtylla kurrizore” e Republikës Islamike.

Sipas ekspertëve të sondazheve, 60 për qind e votuesve që nuk morën pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit mund të rezultojnë vendimtare në përcaktimin e rezultatit përfundimtar nëse dalin për të votuar.

Zgjedhjet e parakohshme presidenciale u shpallën pasi ish-presidenti Ebrahim Raisi humbi jetën në një aksident me helikopter në muajin maj.

Related posts

OBSH angazhohet për të mbështetur popullin sirian -VIDEO

rezart morina

Grupi nismëtar serb i dorëzon peticionet e nënshkruara te kryesuesi komunal për shkarkimin e Atiqit

admin

Zelensky: Që Putin të kërkojë paqe, duhet që ai të bëhet më i dobët dhe Ukraina më e fortë

rezart morina